Lidhje

SHBA: Gjykata e Lartë dhe agjencia për mbrojtjen e mjedisit


Në qershor, administrata e presidentit Obama njoftoi një seri masash për uljen e nivelit të çlirimit të dioksidit të karbonit. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, EPA, vuri në zbatim rregulla më të forta për makinat dhe uzinat e energjisë dhe po punon për standarde të reja për uzinat ekzistuese që punojnë me qymyrguri. Kundërshtarët thonë se EPA po e tejkalon autoritetin e saj për të rregulluar çlirimin e dioksidit të karbonit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Rosanne Skirble, na informon se një çështje e ngritur kundër agjencisë në Gjykatën e Lartë më 10 dhjetor, mund të shtojë pengesat në përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike.

Çështja përqendrohet në një pyetje të vetme: A e ka agjencia e mjedisit autoritetin për të kufizuar çlirimin e dioksidit të karbonit nga makinat meqë ajo ka autoritetin të japë lejet e ndërtimit apo modifikimit të uzinave të energjisë? Scott Segal, i cili drejton Këshillin e Bashkërendimit për Furnizimin me Energji Elektrike, thotë se kërkesat për kontrollin e ndotjes së mjedisit nuk duhet të kushtëzohen me lejet për uzinat e energjisë, fabrikat apo burime të tjera të prodhimit të energjisë.

“Ka qënë gjithmonë një çështje shumë kontradiktore lidhja e lejeve nga kjo Agjenci me kërkesat e reja për kontrollin e ndotjes. Agjencia ka krijuar konfuzion nëse do ta kushtëzojë nivelin e çlirimit të dioksidit të karbonit me lejet e reja”.

Në vitin 2007, Gjykata e Lartë vendosi se Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, kishte autoritetin të vinte kufij për çlirimin e dioksidit të karbonit nga mjetet e reja. Në vitin 2011, ajo u shpreh se agjencia mund të vendoste standarde për ndotjen nga komplekset energjetike. Përpjekjet e industrisë për të prapësuar këto vendime kanë dështuar. Çështja që iu praqit Gjykatës së Lartë më 10 dhjetor nuk do të ndryshojë vendimet e saj të mëparëshme, thotë David Doniger, i cili drejton programin e politikës së klimës në Këshillin për Mbrojtjen e Burimeve Natyrore.

“Edhe pse është ngritur një çështje në Gjykatën e Lartë, në shumicën e rasteve çështja e autoritetit të Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit është fituar”.

Scott Segal nuk është i sigurt për këtë. Ai thotë se fakti që Gjykata e Lartë e pranoi çështjen do të thotë se disa nga gjyqtarët kanë rezerva lidhur me autoritetin e agjencisë për rregulluar çlirimin e dioksidit të karbonit. Ai thotë se është Kongresi dhe jo Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, që përcakton politikën amerikane të klimës.

“Kjo çështje që është tani para Gjykatës së Lartë mund të jetë rasti i parë për t’ia bërë të qartë Agjencisë se i ka tejkaluar kompetencat”.

Por zoti Doniger shton se Kongresi nuk ka arritur vitet e fundit të miratojë ligje për klimën. Ai thekson se çështja e shtruar tani në Gjykatë përqendrohet vetëm tek lejet. Nuk është e vështirë të vendosësh rregulla në përputhje me Aktin për Ajrin e Pastër, të miratuar nga Kongresi në vitin 1970, në të njejtin vit që u krijua Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit.

“Është si një mburojë e re ndaj problemeve të ndotjes dhe është në kompetencën e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, që të zbatojë ligjet, edhe nëse Kongresi i tanishëm nuk e bën këtë”.

David Doniger shton se deri sa kongresi të sigurojë votat e duhura për të shfuqizuar ose për të forcuar më tej ligjin e Aktit për Ajrin e Pastër, ky ligj është në fuqi, i detyrueshëm për t’u zbatuar dhe në kompetencë të Agjencisë për Mbrojtejn e Mjedisit. Vendim për këtë çështje pritet të merret në qershor të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG