Lidhje

SHBA: Ngacmimi seksual i kalon caqet e politikës

  • Zëri Amerikës

SHBA: Ngacmimi seksual i kalon caqet e politikës

SHBA: Ngacmimi seksual i kalon caqet e politikës

Ndërkohë që kandidati republikan për president Hërmën Kein vazhdon të mos përfillë akuzat për ngacmim seksual në të kaluarën, e ardhmja e fushatës së tij politike është kthyer në fokusin kryesor të medias amerikane. Përkrahësit e tij thonë se kjo çështje është shumë e rëndësishme dhe i kalon caqet e politikës.

Hërmën Kein është politikani më i fundit në një rradhë të gjatë politikanësh të njohur amerikanë që përballet me akuza të vazhdueshme për ngacmim seksual.

Ish presidenti demokrat dhe ish guvernator i shtetit Arkansa, Bill Klinton ishte për vite me rradhë në qendër të një akt-padie për ngacmim seksual nga ish punonjësja shtetërore e Arkansas, Polla Xhons.

Ish anëtari republikan i Kongresit nga Florida, Mark Folli dha dorëheqjen në vitin 2006 pasi u njoftua se u kishte dërguar imelle dhe mesazhe seksuale punonjësve të përkohshëm adoleshente.

Fatima Goss Graves në Qendrën Ligjore të Grave të Vendit në Uashington, thotë se është shumë e rëndësishme që votuesit ta njohin mirë të kaluarën e politikanit dhe çdo akuzë për ngacmim seksual. Ajo thotë se kjo çështje shtrihet matanë politikës.

“Jam e interesuar të di se cili është reagimi ndaj ngacmimit seksual; çfarë mendojnë punonjësit dhe politikanët se duhet bërë rreth këtij problemi. Fatkeqësisht fokusi nuk është përqëndruar në këtë aspekt”.

Zonja Graves e vë theksin tek seancat dëgjimore para 20 vjetësh lidhur me kandidatin e athershëm për në Gjykatën e Lartë, tani anëtar i kësaj gjykate, Clarence Thomas, i cili u përball me akuza për ngacmim seksual në marrëdhënie pune nga Anita Hill.

Këto seanca dëgjimore u pasuan menjëherë nga gati një dyfishim i akuzave të zakonshme për ngacmim seksual dhe nga ligje të reja kundër diskriminimit në vendin e punës.

Por mbështetësit e këtyre ligjeve thonë se ato nuk janë të mjaftueshme. Lisa Matc e Shoqatës Amerikane të Grave Universitare, thotë se në kohë të vështira ekonomike, si tani, viktimat shpesh kanë frikë të flasin.

“Aktualisht shumë gra janë të kënaqura nga fakti që kanë një vend pune. Nëse flasin hapur, po të kenë qënë viktimë e ngacmimit seksual, ato rrezikojnë humbjen e vendit të punës. Dhe megjithëse një hakmarrje e tillë është e paligjshme, ajo ndodh gjithnjë dhe përbën një problem të madh”.

Shoqata e saj sapo ka publikuar edhe një raport të ri me hollësi rreth ngacmimit seksual dhe vënies në lojë të nxënësve në shkollat amerikane, fenomene këto, thotë zonja Matc, që janë shndëruar në një “epidemi”. Shoqata Amerikane e Grave Universitare ka bërë thirrje që arsimi kundër ngacmimit të fillojë që në moshë fare të re.

Përsa i përket akuzave për ngacmim seksual kundër zotit Kein, përkrahësit shpresojnë që akuzueset e tij të mos përballen me një seri njoftimesh negative nga media, ashtu siç ka ndodhur më parë në raste akuzash për ngacmim seksual kundër njerzve të njohur.

Zoti Kein ka mohuar vazhdimisht akuzat kundër tij. Sipas anketave të fundit të opinionit, ai vazhdon të jetë gati në krye të listës së kandidatëve republikanë më të preferuar, vetëm dy muaj para se të fillojë procesi për emërimin e kandidatit republikan për në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012.

XS
SM
MD
LG