Lidhje

SHBA, nismë për forcimin e pozitës së gruas në Ballkan

  • Keida Kostreci

SHBA, nismë për forcimin e pozitës së gruas në Ballkan

SHBA, nismë për forcimin e pozitës së gruas në Ballkan

Ambasadorja për çështjet globale të grave në Departamentin e Shtetit, Melan Vërvir, thotë se përmirësimi i pozitës ekonomike dhe statusit politik të gruas në Ballkan janë kritike për rritjen e efektivitetit dhe mirëqenies. Ajo i bëri komentet në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku vlerësoi përpjekjet e Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga në luftën kundër korrupsionit. Ambasadorja Vërvir foli me kolegen Keida Kostreci, pas kthimit nga një vizitë në rajon ku inauguroi konferencën “Investo për të ardhmen”, një nismë e Departamenti i Shtetit për të mbështetur gratë biznesmene në rajon.


Zëri i Amerikës: Si e mori Departamenti i Shtetit vendimin për të ndërmarrë një nismë të tillë për të mbështetur rritjen e statusit të gruas në rajon?

Amb. Verveer: Sekretarja amerikane e Shtetit Clinton ka qenë shumë e angazhuar në përpjekjet për të nxitur pjesëmarrjen ekonomike të gruas, duke pasur parasysh faktin se të gjitha të dhënat tregojnë se sa e rëndësishme është pjesëmarrja e gruas në sektorin e punës dhe drejtimi i bizneseve të vogla dhe atyre në rritje në drejtim të rritjes së ekonomisë dhe prodhimit të brendshëm bruto, kështuqë në Departamentin e Shtetit, pjesëmarrja e gruas në ekonomi është një nga prioritetet kryesore.

Po ashtu, në bashkëpunim me zyrën për çështje evropiane këtu në Departamentin e Shtetit ne donim të vazhdonim ne donim të vazhdonim të mbështesnim përpjekjet në Evropën Juglindore, në Ballkan dhe përtej. Kjo na nxiti që të bashkonim një grup aq të madh grash pjesëmarrëse në biznese të mëdha dhe të mesme, jo vetëm për të menduar në mënyrë strategjike për mënyrat e bashkëpunimit përtej kufijve të vendeve të tyre në një mënyrë më të integruar dhe për të krijuar më shumë mundësi në rajon, por edhe për pengesat që ato hasin.

Gratë që morën pjesë në konferencë folën shumë hapur dhe qartë për disa nga pengesat që hasin pavarësisht se nga cili vend janë. Po ashtu diskutuam për rrugët që duhet të ndjekim së bashku për t’i kapërcyer këto pengesa. Pra megjithëse kjo ishte një konferencë në Kroaci për rajonin, është vetëm fillimi i një udhëtimi që ne e bëjmë së bashku, sepse ky nuk është një angazhim i veçuar.

Të gjitha ambasadat dhe konsullatat në rajon kishin dërguar përfaqësues në konferencë, ata do të bashkëpunojnë me këto gra në vendet përkatëse, pati angazhim për burime të ndryshme ndihme. Mendoj dhe shpresoj që nga kjo nismë do të krijohet një komunitet energjik biznesemenesh, që do të vënë në lëvizje ekonomitë e vendeve të tyre dhe të përmirësojnë jetën e njerëzve në rajon në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Mentaliteti është problem në këtë rajon dhe është një nga pengesat e përfshirjes së gruas në politikë. A u diskutua ky problem?

Amb. Verveer: Po dhe një nga arsyet është se siç e dimë, kur pozita ekonomike e gruas përmirësohet, hapet një portë jo vetëm për aktivitet ekonomik, por edhe për një angazhim në komunitet dhe në politikë dhe pati diskutime për mënyrat e kapërcimit disa nga pengesat që hasin gratë në angazhimin poilitik.

Gratë e kuptojnë sa e rëndësishme është që të bashkëpunojnë, duke shkëmbyer praktikat më efektive, idetë, çfarë funksionon dhe si t’i kapërcejnë këto pengesa, si të sillen kur përballen me disa nga paragjykimet.

Por çka është më e rëndësishme është që gato të bëhen shembull, siç është rasti i kryeministres kroate apo presidentes së Kosovës, dy gra me pozita shumë të rëndësishme në vendin e tyre.

Po ashtu numri i anëtareve të parlamenteve po rritet, megjithëse prapë nuk është i mjaftueshëm. Dhe kur statusi i këtyre grave rritet dhe raste të tilla shtohen, sidomos kur ato bëjnë një punë të mirë, një gjë e tillë po ashtu ndikon.

Zëri i Amerikës: Ju u takuat me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe madje dhe e prezantuat në konferencë. Çfarë përshtypjesh krijuar dhe cilat ishin temat e bisedës me të?

Amb. Verveer: Para së gjithash, ajo mori pjesë aktivisht në konferencë ku ishin shumë gra nga Kosova. Ajo punoi me to gjatë gjithë kohës dhe më bëri shumë përshtypje.

Po ashtu më bëri përshtypje fakti që ajo po punon me shumë seriozitet që të bëhet një figurë bashkuese në Kosovë, që të jetë Presidente e të gjithë popullit. Shumë vetëve u ka rënë në sy që ajo shkon në fshatra dhe komunitete gjatë fundjavës, që të takohet me njerëz, çka e afron qeverisjen me popullin.

Ajo ka bërë prioritetin e saj kryesor luftën kundër korrupsionit – një dukuri që është problem i madh në gjithë rajonin, madje në gjithë botën – dhe mendoj se si ish zyrtare e lartë e rendit, me përvojën e saj, ajo krijon besimin që do të bëjë një punë të mirë në këtë drejtim.

Ajo ka bërë disa emërime të guximshme në drejtësi dhe poste të tjera të larta dhe shpresojmë që përpjekjet e saj të fillojnë të tregojnë se qeveria po punon seriozisht për të zgjidhur këto probleme. Ishte shumë interesante që në ditën e fundit të konferencës ajo i cilësoi shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, si kritike edhe për interesat e atyre grave të pranishme, që janë pjesë e biznesit, sepse nëse ka korrupsion në mënyrën sesi qeveria punon me biznesin, apo në mënyrën e funksionimit të ekonomisë informale, minohet baza për përpjekjet për zhvillimin e ekonomisë në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Sekretarja Klinton e ka vendosur çështjen e zhvillimit gruas në krye të programit të saj. Çfarë angazhimi konkret premtuat jo në vizitën tuaj, që do të ndihmonte në ndryshime në shoqëritë e këtyre vendeve, përfshirë më shumë gra në vendimmarrje?

Amb. Verveer: Para së gjithash ne ftuam gjithë ato gra përmes ambasadave, bëmë të mundur pjesëmarrjen e tyre, si pjesë e angazhimit tonë për inkurajimin e rritjes së pjesëmarrjes ekonomike të gruas në rajon. Po ashtu ne u angazhuam për ndihma financiare, kurse kualifikimi, takime të ardhshme të një shkalle më të vogël. Pra ishte fillimi i një procesi, jo fundi dhe ne kemi angazhim afatgjatë edhe përmes ambasadave. Po ashtu ne duam të garantojmë që këto çështje të jenë në krye të listës së angazhimeve të tjera në rajon, një përpjekje e vazhdueshme.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet kryesore në rajon është dhuna në familje. A u diskutua për këtë problem?

Amb. Verveer: Po u diskutua çështja e paragjykimeve dhe mungesa e fleksibilitetit. Sigurisht që pati dhunë gjatë luftës, por edhe tani ka dhunë në familje. Shumë nga grupet me të cilat u takova janë të angazhuara me programe që ndihmojnë gratë që të rimëkëmben, t’i largojnë nga shtëpitë nëse rrezikohen dhe kjo mbetet e vetmja alternativë, t’u garantojnë sigurinë, por sidomos t’i ndihmojnë që të fitojnë pavarësinë ekonomike, gjë që do t’ua përmirësonte gjendjen.

Është e ditur që pavarësia ekonomike është një nga rrugët më efektive për të luftuar dhunën kundër gruas. Ishte një nga temat kryesore të bisedave. Po ashtu ne folëm për faktin që përpjekjet duhet të bëhen nga lart, qeveritë duhet të jenë më të angazhuara, jo vetëm për të miratuar ligje, por edhe të imponojnë zbatimin e tyre, sepse vetëm qeveria mund ta bëjë një gjë të tillë.

Shkaktarët e dhunës kundër gruas duhet të paguajnë një çmim për dhunën. Por përpjkjet duhen bërë edhe në nivelin e komuniteteve, me programe ndërgjegjësimin, duke i ndihmuar gratë që të kuptojnë sesi mund të rimëkëmben me mbështetjen e duhur.

Më bëri shumë përshtypje angazhimi i këtyre organizatave në përpjekjet qytetare, veçanërisht për t’u përballur me këtë çështje. Ky është problem në gjithë botën dhe ne po përpiqemi të gjejmë rrugë për t’i bërë ballë.

Një nga mënyrat më kritike është përfshirja në këto përpjekje e burrave dhe djemve, që ata të mësohen ta kundërshtojnë këtë lloj sjelljeje, sepse është e papranueshme. Nuk është diçka kulturore, as private është një çështje kriminale.

Është një dhunim i së drejtës njerëzore, por edhe lidhet me mirëqenien ekonomike të vendit, pasi gratë në këtë gjendje nuk punojnë dot dhe janë të trazuara emocionalisht dhe çmimi është shumë i lartë nga ana ekonomike, por edhe nga ana shëndetësore, si edhe nga ana ligjore. Organet e rendit duhet ta kuptojnë që duhet të veprojnë kundër këtyre krimeve.

XS
SM
MD
LG