Lidhje

SHBA, Shefi i NSA mbron programet e përgjimit

  • Cindy Saine

Kreu i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Gjenerali Keith Alexander, po mbron programet amerikane të përgjimit në mes të një vale zëmërimi kundër këtyre programeve në Evropë. Gjenerali Alexander i përball me reagime të ndryshme nga ligjvënësit në Kongres në një seancën dëgjimi dje në Dhomën e Përfaqësuesve.

Shtetet e Bashkuara po përballen me një reagim të fortë pas njoftimeve në Evropë se Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka përgjuar telefonin celular të kancelares gjermane Angela Merkel.

Ka njoftime se Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka mbledhur të dhëna nga bisedat telefonike të miliona qytetarëve edhe në vende të tjera, përfshirë Francën dhe Spanjën. Të gjitha njoftimet janë të bazuara në të dhënat e publikuara nga ish kontraktori i Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden.

Parlamenti Evropian dërgoi një delegacion nëntë anëtarësh në Uashington të cilët u takuan me ligjvënës të Kongresit, diplomatë dhe zyrtarë amerikanë të tregtisë për të shprehur zemërimin e tyre mbi praktikat amerikane të përgjimit.

Anëtari i Parlamentit Europian Jan Philipp Albrecht i tha Zërit të Amerikës se njoftimet rreth përgjimit të kancelares gjermane ishin kulmi.

"Tani njerëzit vërtetë janë të shqetësuar. Ata e kuptojnë se kjo nuk ka lidhje me një kërcënim terrorist, sepse kancelarja Angela Merkel nuk është pjesë e një grupi terrorist dhe ata mendojnë se është shkeluar vija e kuqe, pra tani mund të përgjosh për çdo arsye."

Zoti Albrecht bëri thirrje për një debat publik dhe i bëri thirrje Kongresit amerikan të miratoj një ligj për të balancuar nevojat e sigurisë kombëtare me përgjegjësinë për të mbrojtur të drejtat themelore civile. Zyrtarët evropianë thonë se nëse nuk bëhen ndryshime, bisedimet e rëndësishme trans- atlantike mbi tregtinë do të pezullohen.

Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve mbajti një seancë të hapur dëgjimi për ndryshimet e mundshme në programet e përgjimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Shefi i kësaj Agjencie, Gjenerali Keith Alexander mbrojti programet e përgjimit, duke thënë se punonjësit e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare janë patriotë krenarë që punojnë për të mbajtur të sigurtë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën nga kërcënimet terroriste.

"Por ne nuk i përgjojmë në mënyrë të paligjshme amerikanët apo qytetarët e vendeve të tjera. "

I pyetur rreth përgjimit të udhëheqësve të huaj, Gjenerali Alexander tha se një nga gjërat e para që ai ka mësuara në shkollën e zbulimit është se përgjimi i tyre është i nevojshëm për të mësuar synimet e tyre. Zoti Alexander hodhi poshtë njoftimet se Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka mbledhur të dhëna mbi bisedat telefonike të miliona qytetarëve francezë dhe spanjollë.

Kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësesve, republikani Mike Rogers, gjithashtu mbrojti Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, duke thënë se është naive të mendosh se vendet e tjera nuk kanë zhvilluar programet e tyre të përgjimit. Ai tha se Agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe agjencitë e tjera të zbulimit kanë parandaluar realizimin e një tjetër sulmi terrorist masiv në tokën amerikane.

"Kjo është një kohë kur ne duhet udhëheqim në një botë shumë të rrezikshme dhe kaotike, nuk është koha të kërkojmë falje."
Në Senat, republikanja Susan Collins mbajti një qëndrim tjetër, duke u thënë gazetarëve se "miqtë nuk përgjojnë njëri-tjetrin."

"Mendoj se kjo është krejtësisht e papërshtatshme. Nuk ka asnjë justifikim që vendi ynë të mbledh informacione zbulimi nga udhëheqësit e disa prej aleatëve tanë më të afërt."

Senatorja Collins dhe kryetarja e Komisionit të Zbulimit në senat, demokratja Dianne Feinstein thonë se është problem i madh nëse Presidenti Barak Obama nuk kishte njohuri se disa prej udhëheqësve të lartë të aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara po përgjoheshin.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk po përgjojnë më telefonin celular të kancelares gjermane Angela Merkel dhe ka premtuar se do të rishikohen programet e përgjimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG