Lidhje

Obama mban fjalimin vjetor të martën


Fjalimi për gjendjen e vendit që do të mbajë të martën Presidenti Barack Obama, do të vëzhgohet nga afër në SHBA dhe kudo në botë. Ai pritet të hedhë përsëri thirrjen për një "vit veprimi" në ekonominë amerikane si dhe për të ndihmuar klasën e mesme. Por polarizimi politik në Uashington do të vazhdojë të paraqesë një sfidë për programin e e Presidentit.

Vitin e kaluar, zoti Obama u bëri thirrje ligjvënësve që të vënë vendin para partisë. Ai e quajti detyrë të papërfunduar rikthimin tek marrëveshja bazë me elektoratin.

"Ideja që nëse punoni shumë dhe përmbushni përgjegjësitë, mund të ecni përpara, pavarësisht nga prejardhja - pikërisht kjo është detyra jonë e papërfunduar," tha Presidenti Obama.

Ai e shprehu temën kryesore të fjalimit të këtij viti në një takim me studentët në Shtëpinë e Bardhë.

"Unë do të mobilizoj vendin rreth misionit kombëtar se ekonomia jonë do t'i ofrojë një shans për sukses çdo amerikani që punon shumë," tha Presidenti.

Shumica e amerikanëve janë të shqetësuar rreth pabarazisë. Por zoti Obama mbetet një figurë politikisht polarizuese, me një miratim në publik në nivelin më të ulët të presidencës së tij.

Republikanët e Kongresit, të cilët vitin e kaluar detyruan mbylljen e qeverisë si protestë ndaj ligjit të tij për kujdesin shëndetësor, ende paraqesin rezistencë të madhe.

Një marrëveshje dypartiake për buxhetin arriti ta shmangë një mbyllje tjetër të qeverisë. Por analisti Thomas Mann i Institutit Brookings thotë se në mandatin e dytë të zotit Obama pritshmëritë mund të jenë të pakta.

"Mendoj se presidenti e kupton se ai nuk do të nxjerrë shumë nga Kongresi, përveç nëse ndodh ndonjë mrekulli në zgjedhjet e mesit të mandatit dhe demokratët rimarrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe forcojnë shumicën e tyre në Senat. Por kjo është shumë e vështirë," thotë analisti.

Në vitin 2014, reforma e imigracionit ka shansin më të mirë për të bërë hapa përpara. Ndërsa përpjekjet e zotit Obama për të forcuar ligjet mbi kontrollin e armëve apo për të rritur pagën minimale mbeten të bllokuara.

Zoti Mann thotë se presidenti nuk duhet të paraqesë në fjalim një listë të gjatë objektivash, por të përqëndrohet në hedhjen poshtë të kritikave republikane për shëndetësinë dhe ekonominë.

"Nuk është koha për lista të gjata, por për të menduar në mënyrë strategjike se fjalime të tilla për gjendjen e vendit kanë një kohëzgjatje të kufizuar," thotë analisti.

Zoti Obama pritet të flasë sidomos lidhur me përfundimin e rolit luftarak amerikane në Afganistan. Ai do të theksojë edhe përpjekjet diplomatike për t'i dhënë fund gjakderdhjes në Siri si dhe heqjen e armëve kimike nga Siria pa nevojën e veprimeve ushtarake.

James Goldgaier, Dekan në Universitetin Amerikan, thotë se zoti Obama me siguri do të flasë edhe për një tjetër arritje, marrëveshjen e përkohëshme bërthamore me Iranin.

"Ai do të flasë për faktin se arriti ta bëjë këtë. Mendoj se ka rëndësi për të që të verë në pozita mbrojtëse ata njerëz të cilët e vunë në pikëpyetje diplomacinë, ata që mendojnë se ishin sanksionet që luajtën rol, prandaj shtimi i sanksioneve do të na ndihmojë të arrijmë më shumë rezultat, " thotë analisti.

Shtëpia e Bardhë po bën një fushatë të madhe në internet dhe në median sociale rreth këtij fjalimi, që zoti Obama thotë se do të jetë pak më i shkurtër këtë vit.
XS
SM
MD
LG