Lidhje

Obama, thirrje Kongresit të vazhdojë shkurtimet e taksave


Presidenti kërkon vazhdimin e shkurtimit të taksave edhe për një vit tjetër për 98 % të amerikanëve që kanë të ardhura më pak se 250 mijë $ në vit

Presidenti Obama po i bën thirrje Kongresit ta shtyjë afatin e shkurtimit të taksave edhe për një vit tjetër për 98 për qind të amerikanëve që kanë të ardhura më pak se 250 mijë dollarë në vit. Presidenti tha në fjalimin e tij të përjavshëm se rritja e taksave do të hyjë në fuqi më 1 janar dhe se ai do të jetë një ndihmë e madhe financiare për familjet e shtresës së mesme.

Presidenti foli për këtë çështje edhe gjatë fushatës së tij dje në shtetin e Virginias. Presidenti tha se sipas planit të tij, 2 për qind të amerikanëve, do të duhet të paguajnë pak më tepër taksa për të ardhurat e tyre që e kalojnë tavanin e 250 mijë dollarëve në vit.
Ai tha se ata pak amerikanë pasur, që përbëjnë vetëm dy për qind të popullsisë do të duhet ta paguajnë po aq taksa sa paguanin kur presidenti ishte Bill Clinton, një periudhë të cilën Presidenti Obama tha se ishte një kohë, kur ekonomia krijoi rreth 23 milionë vende të reja pune dhe sufiçitin më të madh buxhetor në histori.

Në reagimin e republikanëve, senatori i Ohios Rob Portman tha se plani i presidentit për rritjen e taksave ndaj krijuesve të vendeve të punës në periudhën kur ka mungesë të vendeve të punës, do të ishte njëlloj sikur të pritej furnizimi me ujë në një periudhë thatësire. Senatori Portman tha se niveli i papunësisë ka qenë mbi 8 për qind, për periudhën më të gjatë të kohës, që nga Depresioni i Madh i shekullit të kaluar.
XS
SM
MD
LG