Lidhje

SHBA: Ndryshime në ekipin e presidentit për politikën e jashtme


Presidenti Barak Obama ka njoftuar ndryshime madhore në ekipin e tij për politikën e jashtme. Ai ka zgjedhur Ambasadoren Susan Rice për postin e Këshilltares për Sigurimin Kombëtar. Samantha Power do të marrë postin e Ambasadores amerikane në Kombet e Bashkuara.

Susan Rice ishte në qendër të polemikave që u ndezën ndërkohë që vazhdonte fushata presidenciale vjet, lidhur me komentet e ambasadores Rice për sulmin terrorist ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë.

Ajo pritej të merrte rolin e Sekretares së Shtetit, por e tërhoqi kandidaturën pas kritikave të ashpra nga republikanët. Vetë zonja Rice tha se nuk donte që kandidatura e saj të bëhej shkak për zhvendosjen e vëmendjes nga përparësitë.

Dje Presidenti Obama e cilësoi zonjën Rice si një mbrojtëse të palodhur të interesave amerikane:

“Ajo ka ndihmuar për të vënë në zbatim sanksione të forta kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, ka mbrojtur Izraelin, ka ngritur zërin në mbrojtje të civilëve të pafajshëm nga Libia, në Bregun e Fildishtë, ka mbështetur shpalljen e pavarësisë për Sudanin e Jugut, ka ngritur zërin për të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e grave. Me pak fjalë, Susan Rice personifikon traditën më të mirë të diplomacisë amerikane”.

Zonja Rice u shpreh në komentet e saj:

“Kemi përpara mundësi të mëdha dhe sfida të vazhdueshme. Ende mbetet shumë për të bërë në emër të popullit amerikan”.

Emërimi i zonjës Rice nuk kërkon miratim nga Senati. Një ndër kritikët e saj më të ashpër, Senatori republikan John McCain, tha se është kundër emërimit të saj në këtë post, por shtoi se do të bëjë çdo përpjekje për të punuar me të për përmbushjen e përparësive të rëndësishme.

Samantha Power është kandidatura për Ambasadore amerikane në OKB. Emërimi i zonjës Power, e cila ka pasur role të rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe poste në Departamentin e Shtetit lidhur me të drejtat e njeriut dhe demokracinë, duhet të miratohet nga Senati.

Zonja Power ishte ndër zyrtarët që u shprehën për nevojën e ndërhyrjes amerikane dhe të NATO-s në Libi dhe ishte një zë i fortë në një numër çështjesh, përfshirë nevojën për reforma në Kombet e Bashkuara:

“Pyetja se çfarë mund të përmbushin Kombet e Bashkuara për botën dhe për Shtetet e Bashkuara mbetet një temë e nxehtë. Kam parë punonjës të ekipeve të OKB-së për ndihmat nën zjarrin e predhave, ndërkohë që shpërndanin ushqime për njerëzit në nevojë në Sudan. Por kam parë edhe se si paqeruajtësit e OKB-së nuk arritën të mbronin popullatën në Bosnje. Amerika, si vendi më i fuqishëm dhe më demokratik në botë, ka një rol kritik për të kërkuar nga ky institucion të përmbushë nevojat e kohës”.

Zoti Obama vuri theksin tek angazhimi i zonjës Power tek përgjegjësia morale dhe puna e saj në mbrojtje të dinjitetit njerëzor. Ai i bëri thirrje Senatit të miratojë kandidaturën e saj sa më parë:

“Ajo njeh pikat e forta të OKB-së, njeh pikat e dobëta të organizatës, e ka të qartë se u shërben interesave të Amerikës kur arrijmë të sigurojmë mbështetjen e botës, dhe e ka të qartë se Amerika duhet të ngrejë zërin për parimet dhe idealet tona”.

Analistët parashikojnë se emërimi i zonjës Power mund të ofrojë një shans të ri që kritikët të sulmojnë zotin Obama për ato që i cilësojnë si dështime të administratës në politikën e jashtme, në veçanti në Siri.
XS
SM
MD
LG