Lidhje

Fushatë intensive në orët e fundit para zgjedhjeve


Ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë para hapjes së kutive të votimit, Presidenti Barack Obama dhe rivali i tij republikan, ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney po përshkojnë Shtetet e Bashkuara në një përpjekje të fundit për të siguruar vota. Anketat tregojnë dy kandidatët gëzojnë një mbështetje të barabartë dhe dyu fushatat kanë shprehur besimin për fitore.

Presidenti Obama me zë të ngjirur nga ditët e fushatës pa pushim u bëri thirrje votuesve në New Hampshire që ta mbështesin ditën e zgjedhjeve.
“Nuk mund të kthehemi mbprapsht tani. Nuk mund të lejojmë që të humbasim zemër. Është koha për të vazhduar rrugën tonë”.

Zoti Obama thotë se edhe pas katër vjetësh si president, ai përfaqëson ndryshimin e vërtetë në Uashington. “Ju e dini që unë e kuptoj se ç’do të thotë ndryshim sepse kam luftuar për të përkrah jush. Për këtë flasin shenjat e betejës, flasin flokët e mi të thinjur”.


“Më duhet të fitoj në Iowa që të mund të fitojmë Shtëpinë e Bardhë dhe të rimarrim Amerikën”.

Ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney thotë se Shteteve të Bashkuara u duhet një ndryshim nga politikat e dështuara të zotit Obama.

“Ai kishte premtuar se papunësia do të ishte 5.4 për qind tani. Por sapo morëm vesh të premten që është 7.9 për qind. Pyetja që duhet të bëjmë në këto zgjedhje është: a doni të kemi edhe katër vjet si katër vitet e fundit, apo doni ndryshim të vërtetë”.

Në fund të një fushate të gjatë dhe shpesh të hidhur, kandidatët po zotohen të kapërcejnë mosmarrëveshjet politike për të zgjidhur problemet e vendit.
“Përsa kohë të jem president do të punoj me këto nga cilado parti poltike për ta çuar vendin përpara”.


“Kur të zgjidhem, do të punoj si me republikanët, edhe demokratët në Kongres”.

Të dyja fushatat janë përqendruar në më pak se 10 shtete si Ohajo dhe Florida që ka mundësi të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve. Republikanët duken se po bëjnë fushatë më energjike, ndërsa demokratët kanë një rrjet më të gjerë për të tërhequr votuesit, sipas analistit politik Scot Faulkner.

“Pyetja është: A do të mundet ky mobilizim të kompensojë disi rënien e entuziazmit për Obamën? Do të jetë një natë interesante zgjedhjesh”.

Anketat tregojnë një elektorat të ndarë në pjesë të barabarta në shkallë kombëtare, por një epërsi të lehtë për zotin Obama në shumë nga shtetet e pavendosura.


Këshilltari i fushatës së zotit Romney, Ed Gillespie parashikon fitore.

“Ne kemi besim duke parë se në ç’pozita jemi në shtetet kryesore”.

Edhe këshilltari i fushatës së presidentit Obama, David Plouffe është optimist.

“Kam besim se Presidenti do të rizgjidhet”.

Zgjedhjet e nesërme mbahen një javë pasi uragani Sandy shkatërroi pjesë të brigjeve lindore. Nuk është e qartë se ç’efekt mund të ketë stuhia tek votuesit. Pjesëmarrja në zgjedhje është thelbësore për fitore dhe të dy kandidatët do të vazhdojnë një program të ngjeshur fushate deri në prag të zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG