Lidhje

SHBA: Kandidatët vazhdojnë fushatën presidenciale


Campaing romney obama

Campaing romney obama

Presidenti Barak Obama dhe rivali i tij republikan Mit Romni vazhdojnë fushatën në gjithë vendin dy javë para zgjedhjeve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson na informon se zoti Obama votoi sot para kohe në qytetin e tij Çikago të Illinoit, ndërsa zoti Romni zhvilloi mitingje në shtetin Ohajo, shtet me shumë rëndësi për zgjedhjet.

Duke i dhënë fund paraqitjeve maratonë gjatë 48 orëve në gjithë vendin, zoti Obama shkoi me avionin presidencial nga Los Anxhelos i Kalifornisë në Tampa të Floridës.
Gara në Florida është shumë e ngushtë, megjithëse sondazhet e fundit tregojnë se zoti Romni është atje në avantazh.

Pas Floridës ndalesa tjetër ishte Virxhinia, një tjetër shtet me rëndësi, ku fitoria është e domosdoshme për të dy kandidatët që përpiqen të sigurojnë 270 votat e kolegjit elektoral, të nevojshme për të fituar zgjedhjet e 6 nëntorit. Zoti Obama shfrytëzoi paraqitjen e tij në Riçmond për të komentuar rreth mbështetjes që i dha ish sekretari i Shtetit, Kolin Pauëll.

"Mësova me krenari se ne kemi mbështetjen e Kolin Pauëll-it në këtë fushatë. Unë i jam mirënjohës për shërbimet që i ka bërë vendit gjatë gjithë jetës së tij, si ushtar dhe si diplomat. Çdo amerikan i guximshëm që vesh uniformën e ushtrisë së këtij vendi duhet ta dijë se përsa kohë që unë unë jam komandant i përgjithshëm i ushtrisë, ne do të kemi ushtrinë më të fortë që bota ka parë ndonjëherë”.

Zoti Romni bëri fushatë në një komapni çeliku në Ohajo, ku gara është shumë e ngushtë. Sondazhet tregojnë se Presidenti Obama është paksa në avantazh dhe analistët e zgjedhjeve thonë se ky shtet me 18 vota elektorale mund të jetë faktor vendimtar për zgjedhjet. Zoti Romni kritikoi atë që e quajti vogëlsi të fushatës Obama, duke thënë se amerikanët nuk mund të përballojnë edhe katër vjet udhëheqje nga ky president.

"Fushata e presidentit po shket sepse ai nuk mund të përcaktojë një axhendë. Ai ka qënë në kërkim të saj. Kanë mbetur vetëm 12 ditë nga votime. Ai nuk ka qënë në gjendje ta mbrojë apo t’ia paraqesë atë popullit amerikan në debatet tona, prandaj populli amerikan e ka tani të qartë se me sifdat e mëdha që kemi përballë dhe me zgjedhjet e mëdha që na presin, ka ardhur koha për një ndryshim të madh”.

Para se t’i jepte fund fushatës së tij maratonë dhe të kthehej në Uashington, Presidenti Obama u ndal në qytetin e tij të banimit, Çikago. Atje ai u bë presidenti i parë amerikan që votoi para kohe në zgjedhjet presidenciale Zonja Obama votoi javën e kaluar.

Tani që kanë mbetur vetëm dy javë nga zgjedhjet, anketat e opinionit tregojnë se gara është praktikisht në barazim. Të dy fushatat shpresojnë të tërheqin votat e zgjedhësve të pavendosur dhe do të përqendrojnë përpjekjet në nëntë shtetet ku gara është tepër e ngushtë deri në ditën e zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG