Lidhje

Aktivizëm kundër të drejtave të homoseksualëve


Udhëheqësit e një organizate të re amerikane thonë se do të luftojnë kundër asaj që e cilësojnë si fushatë globale e lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgjinorëve. Korrespondenti Scott Liveli i Shoqatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Familjes dhe Peter LaBarbera i grupit Amerikanët mbi të Vërtetën për Homoseksualitetin njoftuan në Uashington krijimin e Koalicionit për Vlerat Familjare.

Scott Lively thotë se Koalicioni për Vlera Familjare kërkon nga “vende që duan familjen” të bllokojnë përpjekjet për ligje që ndalojnë diskriminimin kundër homoseksualëve dhe transgjinorëve:

"Axhenda e tyre është shtrirë përtej kufijve të tolerueshëm dhe vazhdon të avancojë”.

Ndër vendet nga të cilat presin veprim në këtë drejtim është Rusia:

"Ndërkohë që mbyllen Olimpiket e këtij viti në Soçi, duam të vlerësojmë rolin e Federatës Ruse që ka ofruar udhëheqjen shumë të nevojshme për kthimin e vlerave familjare në procesin e hartimit të politikave dhe nxisim qeveritë e botës për të ndjekur shembullin e Rusisë, e cila në 2013 dhe 2014 mori masa për të penguar propagandaën homoseksuale ndaj fëmijëve dhe miratoi masa për kufizimin e birësimeve për të përjashtuar çiftet homoseksuale".

Në një konferencë për shtyp të premten në Uashington zoti Lively tha se 70 udhëheqës fetarë dhe aktivistë kundër politikave pro-homoseksualëve nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia, Britania dhe Brazili janë përfshirë deri tani në koalicion.

"Të lutemi për shërimin e atyre që kanë zgjedhur rrugën e homoseksualitetit dhe brenda masës së arsyeshme të respektojmë të drejtat e tyre për të ndjekur rrugën e gabuar dhe për të pasur një jetë private, por të mos lejojmë lëvizjen politike të homoseksualëve për ta shndërruar botën në shëmbëlltyrën e tyre”.

Peter LaBarbera, i grupit Amerikanët për të Vërtetën mbi Homoseksualitetin thotë se liberalët në Shtetet e Bashkuara nuk duan t’ia dinë për mësimet e fesë kundër homoseksualitetit apo për mbrojtjen e fëmijëve nga përpjekjet e tyre për të krijuar konfuzion mbi dallimet gjinore dhe sjelljet homoseksuale”.

"Fëmijët kanë nevojë për nënën dhe babain; një partner homoseksual nuk mund të zëvendësojë atë që ofron njëri apo tjetri prind në familje”.

Aktivistë të të drejtave të homoseksualëve ishin të pranishëm gjatë konferencës për shtyp dhe u përpoqën të ndërpresin fjalimet e folësve.

Zoti Lively ka zhvilluar fushatë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Afrikë për miratimin e ligjeve që pengojnë lëvizjen për të drejtat e homoseksualëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG