Lidhje

Pakistani hedh poshtë akuzat amerikane


Pakistani hodhi poshtë akuzat e sekretarit amerikan të mbrojtjes se ka lejuar militantët të përdorin territorin e tij për të ndërmarrë sulme kundër forcave amerikane në Afganistanin fqinj.

Ministria e Jashtme e Pakistanit tha sot në një deklaratë se sekretari Panetta "po i thjeshtëzon disa çështje që janë shumë komplekse."
Deklarata thotë se komentet e zotit Panetta, të bëra gjatë javës në Kabul, ishin "të gabuara dhe nuk ndihmojnë për të sjellë paqen dhe stabilitetin në rajon."

Ministria e Jashtme tha se Pakistani ka deklaruar në mënyrë të përsëritur "se nuk do të lejojë që territori i tij të përdoret kundër ndonjë vendi."

Zoti Panetta tha në Kabul këtë javë, se përpjekjet e stabilizimit në Afganistan do të mbeten të vështira për aq kohë sa militantët të kenë strehë të sigurt në Pakistan.

Ministria e jashtme pakistaneze tha se po ndjek një "strategji të menduar mirë për të çrrënjosur ekstremizmin dhe terrorizmin.”

Marrëdhëniet mes Islamabadit dhe Uashingtonit janë tendosur rreth një sërë çështjesh kohët e fundit, siç ishte mbyllja e kufirit të Pakistanit për kamionët e NATO-s, si kundërpërgjigje ndaj vrasjes së 24 ushtarëve pakistanezë nga forcat e aleancës.
XS
SM
MD
LG