Lidhje

SHBA: Punësimi rimëkëmbet ngadalë


Ritmet e papunësisë në Shtetet e Bashkuara mbeten në 7.6 për qind. Raporti i nxjerrë dje nga Departamenti i Punës thekson gjithashtu se ekonomia ka hapur 195 mijë vende të reja pune. Megjithëse ritmet e papunësisë janë më pozitive se gjatë krizës, ato mbeten të larta krahasuar me përqindjen e dekadave të mëparshme. Studiuesit po përpiqen të analizojnë shkaqet për këtë rimëkëmbje të ngadaltë:

Ekonomistët thonë se zhvillimi i shpejtë teknologjik dhe mospërputhja mes kualifikit që kanë punënjësit dhe nevojave që kanë punëdhënësit është pjesërisht shkaku për këtë rimëkëmbje të ngadaltë.

Studiuesit e kompanisë ACT kanë analizuar miliona amerikanë gjatë pesë vjetëve për të parë nëse kanë kualifikimin që kërkohet nga tregu i punës – njohuri të matematikës së aplikuar, aftësinë për grumbullimin dhe analizimin e informacionit.

Ata zbuluan se individët me arsim më të mirë dalin më mirë në konkurse, por sipas kompanisë ACT, niveli më i lartë arsimor nuk nënkupton medoemos nivel më të lartë aftësish në punë. Hope Clark e kompanisë ACT thotë se shumë nga ata që u analizuan nuk ishin në gjendje të identifikonin informacionin e vlefshëm dhe ta organizonin atë në një formë që i shërben një kompanie, si për shembull për të përgatitur grafikë dhe statistika:

“Nëse Shtetet e Bashkuara bëjnë një punë më të mirë për të analizuar kërkesat e tregut të punës, mund të arrijmë sukses më të madh në kualifikimin e krahut të punës në përputhje me këto kërkesa”.

Kompania ACT ka përvojë të pasur në analizimin e aftësive të nxënësve të shkollës së mesme për të parë nëse janë gati të përballojnë kërkesat e universitetit.

Ndërkaq, studiues në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets, MIT, thonë se përparimet e mëdha në teknologjinë kompiuterike mund të jenë shkaku i problemeve në tregun e punës gjatë viteve të fundit.

Zhvillimet teknologjike kanë eliminuar nevojën për disa vende pune, por njëkohësisht kanë hapur edhe vende pune më cilësore dhe me pagë më të mirë.

David Rotman i Institutit MIT thotë se ka vite që kompiuterat kanë eliminuar shumë vende pune në prodhimin industrial, industrinë e shërbimeve dhe shitjet me pakicë, por tani po përdoren gjithnjë e më shumë edhe në sektorin financiar, në arsim, mjekësi dhe në firma avokatie:

“Pra makinat do të bëjnë gjinjë e më shumë lloje punësh dhe ritmet e përparimit teknologjik do të përshpejtohen”.

Zoti Rotman thotë se disa studiues mendojnë se natyra e punës po ndryshon. Vende pune në zyrat postare apo në shërbim të klientit po zhduken, por po hapen vende pune në sektorin e teknologjisë së lartë.
XS
SM
MD
LG