Lidhje

SHBA: Parandalohet një komplot i Al-Kaidës për sulm me bombë


Zyrtarët amerikanë thonë se arritën të zbulojnë një komplot të al-Kaidës që synonte të hidhte në erë një avion me destinacion Shtetet e Bashkuara. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, komploti do të realizohej në përvjetorin e parë të operacionit amerikan që vrau Osama Bin Ladenin.

Autoritetet në Uashington thonë se dega e al-Kaidës në Jemen synonte të fuste një vetëvrasës në bordin e një avioni me destinacion Shtetet e Bashkuara. Personi kishte të lidhur eksplozivë në veshjet e tij të brendshme.

Zyrtarët thonë se komploti u zbulua dhe bomba u kap para se aeroplani të vihej në rrezik.

''Qeveria amerikane thotë se komploti në asnjë moment nuk ishte pranë realizimit, pasi ajo kishte informacion të brendshëm. Pra, ajo kishte një njeri të brendshëm i cili nuk do ta lejonte të realizohej”, tha Richard Clarke, ish-këshilltar i kundërterrorizmit.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar pranë Shtëpisë së Bardhë tha dje në një deklaratë se Presidenti Obama ishte njoftuar për komplotin qysh në muajin prill dhe ishte mbajtur i informuar rregullisht për gjendjen.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta tha se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë vigjilente ndaj sulmeve të mundshme.

"Unë nuk komentoj për operacione të fshehta, por mund të them se Shtetet e Bashkuara ndërmarrin një numër operacionesh kundër al-Kaidës dhe aleatëve të tyre ekstremistë dhe terroristë, të cilët do të përpiqen të sulmojnë Shtetet e Bashkuara. Ajo që del qartë nga ky incident është se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të jenë vigjilente. Ne do të bëjmë gjithçka që Amerika të jetë e sigurtë".

Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, personi që mendohet se do të realizonte shpërthimin ishte në Jemen dhe komploti do të realizohej në përvjetorin e parë të operacionit amerikan që vrau Osama Bin Ladenin. Po sipas agjencisë, personi në fjalë nuk e kishte zgjedhur ende objektivin dhe nuk e kishte blerë biletën.


Zyrtarët thonë se bomba ishte një kopje e asaj që u përdor në vitin 2009, në përpjekje për të hedhur në erë një aeroplan që ishte nisur për në Detroit nga Amsterdami. Një nigerian u përpoq të shpërthente eksplozivin e fshehur në të brendshmet e tij gjatë fluturimit ditën e Krishtlindjeve.

XS
SM
MD
LG