Lidhje

Paul Ryan, kandidati republikan për nënpresident


Paul Ryan, vetëm 42 vjeç, është shumë i preferuar mes konservatorëve të çështjeve fiskale

Kandidati republikan Mitt Romney e njoftoi më së fundi kandidatin që ka zgjedhur për nënpresident të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara. Pas spekulimesh të shumta, ai e bëri publike zgjedhjen e tij, ligjvënësin nga Uiskonsini Paul Ryan, në një aktivitet fushate në Norfolk të Virxhinias.

“Sot hedhim një hap tjetër përpara për të ringjallur premtimin e Amerikës, ndërkohë që vazhdojmë fushatën drejt momentin kur do të udhëheqim vendin drejt një të ardhmeje më të mirë. E kam për nder të prezantoj kandidatin që kam zgjedhur, nënpresidentin e ardhshëm amerikan Paul Ryan".

42-vjeçari Ryan ka mbështetjen e shumë konservatorëve me ndikim. Ai është kryetar i Komisionit për Buxhetin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ka qenë një aktivist i fortë i përpjekjeve për reduktimin e deficitit duke shkurtuar buxhetin.

Ligjvënësi Paul Ryan e mori fjalën pas prezantimit nga Mitt Romney, duke deklaruar se Amerika është në rrugë të gabuar dhe se ai dhe Mitt Romney do të ndërmerrnin hapat e duhur, në kohën e duhur për ta kthyer vendin në kursin e drejtë.

Paul Ryan, vetëm 42 vjeç, është shumë i preferuar mes konservatorëve të çështjeve fiskale. Si kryetar i Komisionit të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve, ai ka qënë në qendër të debateve lidhur me shkurtimin e shpenzimeve dhe reformën e programeve shoqërore.

“A doni një shoqëri në qendër të së cilës të jetë qeveria dhe një ekonomi shtetrore si dhe një sistem të kujdesit shëndetsor të administruar nga qeveria? Apo doni një shoqëri të mundësive amerikane me një rrjet sigurie, një ekonomi të lirë, liri ekonomike dhe liri personale?"

Kandidati republikan për president Mitt Romney e bëri njoftimin në shtetin e Virxhinias në bordin e luftanijes amerikane USS Wisconsin. Anija mban emrin e shtetit, që zoti Ryan përfaqëson në Dhomën e Përfaqësuesve dhe njoftimi bëhet në shtetin e Virxhinias, shtet tradicionalisht republikan, i cili në zgjedhjet presidenciale të 2008-tës votoi për presidentin Barak Obama.

Gara për Shtëpinë e Bardhë përcaktohet nga vetëm disa shtete dhe njëri prej tyre është Wisconsin. Mbetet për t’u parë nëse kandidatura e zotit Ryan mund ta kalojë këtë shtet tradicionalisht demokrat në kolonën republikane dhe nëse ky ndryshim pjesërisht t’i sigurojë fitoren Mitt Romnit.

Ndërsa Paul Ryan gëzon shumë mbështetje mes republikanëve, demokratët shikojnë mjaft mundësi për ta sulmuar atë. Në mars të këtij viti, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi planin e buxhetit, ''Rruga drejt Begatisë'', i hartuar nga ligjvënësi Ryan, në bazë të të cilit do të shkurtoheshin shpenzimet qeveritare me triliona dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm.

Demokratët kanë kritikuar shkurtimet e debatueshme të përfshira në këtë projekt-ligj, si për shembull shkurtimet në programin ‘medicare’, i cili përfshin kujdesin shëndetsor për të moshuarit. Analistët thonë se demokratët do të fillojnë kritikat ndaj zotit Ryan, tani që Mitt Romney bëri njoftimin e tij të shumë pritur.
XS
SM
MD
LG