Lidhje

SHBA përmbush numrin e planifikuar të refugjatëve të pranuar


Shtetet e Bashkuara arritën numrin e planifikuar të refugjatëve për këtë vit fiskal, duke përmbyllur kështu 12 muaj debatesh politike për objektivin e pranimit të 85 mijë refugjatëve. Njoftimi u bë ndërsa aktivistë të “Kongresit të Refugjatëve” mbërritën në Uashington për të bashkëbiseduar me ligjvënësit rreth problemeve të refugjatëve. Zeljka Krvavica, ish-refugjate nga Bosnja, është ndër aktivistët që u takuan me përfaqësuesit e tyre në Kongres.

Zeljka Krvavica është përfaqësuese nga Iowa në “Kongresin e Refugjatëve” të SHBA-së.

Bashkë me delegatë të tjerë, ajo po viziton Uashingtonin për t’u takuar me anëtarë të Kongresit amerikan dhe për të risjellë në vëmendje se personat e zhvendosur në mbarë botën kanë arritur një numër rekord.

“Shpresojmë se idetë tona do ta ndihmojnë Kongresin të miratojë një numër edhe më të madh refugjatësh për t’u pranuar në SHBA gjatë vitit 2017.”

Sipas Agjensisë së OKB-së për Refugjatët, UNHCR, 65.3 milionë njerëz në mbarë botën janë zhvendosur prej konflikteve dhe përndjekjes. 20 milionë prej tyre janë tashmë refugjatë.

Për 2017-ën, Shtëpia e Bardhë synon që në SHBA të pranohen 110 mijë refugjatë, një rritje krahasuar me 85 mijë që u pranuan gjatë këtij viti.

“Bota po përballet tashmë me një situatë refugjatësh me përmasa të pahasura më parë. Është koha për zgjidhje të reja, mekanizma të reja, mënyra të reja që bota të trajtojë këtë situatë.”

Ka patur rezistencë ndaj rritjes së numrit të pranimeve. Ndërsa qindra mijëra refugjatë udhëtuan drejt Evropës vjeshtën e kaluar, disa udhëheqës nacionalistë mbyllën me shpejtësi kufijtë e vendeve të tyre.

Në SHBA, kandidati republikan për president Donald Trump është zotuar t’i kthejë mbrapsht të gjithë refugjatët sirianë.

“Nuk dimë se kush janë dhe nga vijnë. Nuk ka dokumentacion. Duhet të jemi të çmendur. Ata duhet të kthehen në vendet e tyre. Nëse unë bëhem president, ata do të kthehen mbrapsht.”

Zeljka Krvavica thotë se frika për sigurinë është e pabazuar. Ajo thotë se refugjatët janë grupi më i kontrolluar i njerëzve që hyjnë në SHBA; proçesi për pranimin e tyre mund zgjasë deri në dy vjet.

“Fatkeqësisht, shumë njerëz mendojnë se refugjatët vijnë në këtë vend si terroristë; nuk janë të tillë. Shumë mendojnë se refugjatët nuk paguajnë taksa dhe jetojnë falas në SHBA; nuk është e vërtetë.”

Ajo thotë se pjesë e zgjidhjes është informimi i publikut se kush janë refugjatët dhe se si ata kanë dhënë historikisht kontribut të madh për shoqërinë amerikane.

XS
SM
MD
LG