Lidhje

SHBA përshëndesin Kosovën për zgjedhjet


SHBA përshëndesin Kosovën për zgjedhjet
SHBA përshëndesin Kosovën për zgjedhjet

Shtetet e Bashkuara përshëndetën sot Kosovën për zgjedhjet e para të përgjithshme që pas shpalljes së pavarësisë. Me anë të një deklarate, ambasada amerikane në Prishtinë thotë se zgjedhjet ishin një shprehje e demokracisë dhe ishte inkurajues fakti që shumë qytetarë të Kosovës shprehën angazhimin e tyre duke hedhur votën në gjithë vendin.

Në deklaratë thuhet se Kosova tani përballet me provën e numërimit të votave dhe se institucionet e Kosovës duhet t’i tregojnë publikut se janë të gatshëm të mbrojnë integritetin e së drejtës për të votuar.

Vëzhguesit amerikanë ishin dje të pranishëm në qendrat e votimit në gjithë Kosovën dhe ambasada thotë se sipas tyre procesi, me pak përjashtime, ishte në përgjithësi efiçent dhe efektiv.

Ambasadori Kristofer Dell vëzhgoi zgjedhjet në 17 stacione votimi dhe 12 qendra votimi në komunat e Gllogovcit, Gjakovës, Deçanit, Pejës, Klinës dhe Skënderajt.

Ambasadori Dell vëzhgoi gjithashtu numërimin e votave në shkollën e mesme Hamez Jashari të Skënderajt. Në deklaratë thuhet se në numërimin e votave ambasadori vuri re parregullsi që ai i raportoi. Fletët e votimit në kuti ishin më të shumta sesa numri i firmave në regjistrat e votuesve. Në deklaratë thuhet se, mesa duket, raste të tjera parregullsish ka pasur në Skënderaj dhe Gllogovc.

Ambasada amerikane inkurajon të gjithë vëzhguesit që vunë re parregullsi, të përdorin mekanizmat ligjore për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve dhe të demokracisë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG