Lidhje

SHBA - pakënaqësi ndaj politikanëve

  • Jim Malone

Politikanët në Washington shpesh marrin reagime negative në anketat e publikut. Por një anketë e kohëve të fundit e mbushur me opinione të dëshpëruara tregon se polarizimi politik dhe mosfunksionimi në Washington po thellohet.

Shifrat janë befasuese për negativitetin e tyre. Në anketën e përbashkët të gazetës Wall Street Journal dhe televizionit NBC News, mosmiratimi për Kongresin është 83 për qind, shifra më e lartë në vite e këtij anketimi të kryer nga të dy mediat. Miratimi për presidentin Obama është 45 për qind, ashtu sikurse ishte për George W. Bushin në një moment të ngjashëm të presidencës së tij.

Vetëm 29 për qind e amerikanëve thonë se vendi po ecën në rrugën e duhur, një shifër kjo që është ulur, krahasuar me atë në fund të vitit të kaluar, kur ishte 41 për qind.

Edhe anketime të tjera kombëtare kanë rezultate negative dhe ekspertët thonë se e gjithë kjo është me pasoja për presidentin dhe për anëtarët e Kongresit nga të dyja partitë kryesore politike.

Charlie Cook është analist politik në gazetën National Journal. Ai thotë se shifrat në ulje për mbështetjen ndaj Presidentit mund t’i dëmtojnë demokratët në zgjedhjet për në Kongres të vitit të ardhshëm.

“Në zgjedhjet për në Kongres shihet shkalla e miratimit për presidentin, ato shërbejnë në një farë mase si referendum për presidentin dhe në rastin e tanishëm, miratimi për presidentin ka rënë 1 përqind që nga janari.”

Megjithë shenjat se ekonomia është duke u rritur, shumë amerikanë vazhdojnë të kenë një pikëpamje të përgjithshme negative, sidomos kur është fjala për vendet e punës dhe standartin e tyre të ardhshëm të jetesës.

Presidenti Obama ishte në një turne, ku foli për probleme ekonomike dhe ku nuk ka hezituar të fajësojë republikanët për bllokimin politik të Washingtonit.

“Ata po harxhojnë kohën kot për të grumbulluar 40 vota të parëndësishme, për ta hedhur poshtë programin e shërbimit shëndetësor, Obamacare, duke thënë se ai është një plan që nuk krijon vende pune!”

Por republikanët, mes tyre edhe Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, janë duke fajësuar demokratët për gjëra që nuk ecin.

“Ne nuk jemi këtu thjesht për të bërë zhurmë. Republikanët në Kongres po vazhdojnë të veprojnë.”

Steve Bell, i qendrës “Bipartisan Policy Center”, thotë se presidenti ka një punë të vështirë në përpjekjen për të ndryshuar perceptimin e publikut për drejtimin që ka marrë vendi.

“Mendoj se ai e kupton se populli amerikan po frikësohet paksa, madje po tmerrohet. Në tre amerikanë, dy besojnë që vendi ka hyrë në drejtim të gabuar dhe ka dalë nga binarët.”

Presidenti vërtet mund ta ketë humbur mbështetjen e publikut sipas anketimeve, por mbështetja për republikanët është edhe më e ulët për momentin, thotë analisti Charlie Cook.

“Republikanët nuk mund të nxjerrin përfitime nga problemet e demokratëve, sepse mbështetja e publikut edhe për ata është e ulët.”

Perceptimi i publikut amerikan për politikanët është shumë i keq dhe ndoshta do të jetë edhe më i keq në shtator, kur Kongresi të rikthehet në punë. Ligjvënësit janë tepër të ndarë lidhur me nivelin e financimit të qeverisë ferderale, për imigracionin dhe për ligjin e shërbimit shëndetësor të Presidentit, për të cilin disa republikanë po përpiqen që të mos jepen fondet e nevojshme.
XS
SM
MD
LG