Lidhje

SHBA: Praktikat e gjelbra në komplekset universitare

  • Zulima Palacio

SHBA: Praktikat e gjelbra në komplekset universitare

SHBA: Praktikat e gjelbra në komplekset universitare

Më shumë se 300 universitete në Shtetet e Bashkuara u janë kthyer praktikave të gjelbra. Ato po ndërtojnë objekte miqsore për mjedisin, po rikonstruktojnë ndërtesa, po lidhen me sisteme të energjisë së erës dhe diellit, mbjellin dhe kujdesen për kopshtet me forma organike, duke reduktuar çlirimin e gazit karbonik në atmosferë. Ato kanë filluar gjithashtu programe akademike për çështje të mjedisit. Ekspertët e quajnë këtë transfomimin më të madh të kolegjeve dhe universiteteve në dekadat e fundit.

Universiteti George Washington këtu Uashington DC ka patur prodhim të mirë të luleshtrydheve. Lulet e diellit u ritën përsëri pas stinës së dimrit dhe kungulleshkat duket se do të japin prodhim të mirë. Elois Smith sapo është diplomuar dhe tani kujdeset për kopshtin e universitetit.

"Këto janë lulet e kungullit të vogël. Ne heqim lulet mashkullore, sepse ato nuk kthehen në zarzavate”.

Ky është një nga kopshtet për të cilat kujdesen studentët vullnetarë. Por më e rëndësishme është se ky është vetëm një prej disa programeve të gjelbra të Universitetit George Washington. Në kompleksin e universitetit gjen tani ndërtesa të gjelbra, gjë që do të thotë se ato janë ndërtuar për të patur sa më pak ndikim negativ për mjedisin. Universiteti ka programe riciklimi, çati të gjelbra dhe një program televiziv dhe programe të tjera vizive për mjedisin. Megan Çapëll-Braun është drejtoreshë e mirëmbajtjes.

"Ne kemi një sistem të integruar në këto ndërtesa dhe në dy ndërtesa të tjera që kanë sasinë më të madhe të ujit të ngrohtë nga panelet diellore në brigjet lindore të vendit”.

Ajo thotë se aplikimi i praktikave të gjelbra në universitet, gjatë 10 vjetëve të fundit, ka përparuar në tri drejtime.

"Klima, uji dhe sistemet ekologjike. Ne kemi filluar një projekt të madh për ndryshimet klimatike. Ne kemi në plan të eliminojmë çlirimin e gazit karbonik dhe të ulim me 40% ndikimin tonë negativ për mjedisin deri në vitin 2015, duke instaluar sisteme diellore për ngrohjen e ujit dhe duke i furnizuar ndërtesat me energji të gjelbër”.

Universiteti po investon rreth dy milionë dollarë për ta bërë kompleksin më të gjelbër. Disa nga investimet kanë sjellë rezultate në uljen e kostos së ujit dhe energjisë. Sofi Uaskou është studente pasuniversitare.

"Kjo është një fuçi për mbledhjen e ujit të shiut dhe është e lidhur me tubacionin që shkon nga çatia në koshpshtin e ndërtesës”.

Ujëmbledhësit përdoren për vaditjen e gjelbërimit të universitetit, duke pakësuar kështu prurjet në Lumin Potomak. Çapëll-Braun thotë se kjo shkollë me 20 mijë studentë, ofron tani 140 kurse për mirëmbajtjen dhe mjedisin. Ajo thotë se studentët kanë qënë faktor i madh i këtyre ndryshimeve.

"Ata po shikojnë mundësinë e programeve të gjelbra në shërbim të universitetit. Ne e dimë se ky është një faktor me të vërtetë i rëndësishëm dhe studentët tanë u përgjigjen nevojave kur vinë këtu”.

Sipas një instituti statistikor për qendrueshmërinë afatgjatë, një organizatë jo fitmprurëse, më shumë se dy të tretat e studentëve të shkollave të mesme shikojnë programet e universitetit për mjedisin kur zgjedhin shkollën e lartë ku do të shkojnë. Drejtori ekzekutiv, Mark Orlovski thotë se gjatë pesë vjetëve të fundit, më shumë se 300 kolegje dhe universitete amerikane kanë ndjekur praktikat e gjelbra.

“Sipas statistikave, pesë vjet më parë ne kemi parë më pak se 20 përqind të shkollave me ndërtesa të gjelbra, ndërsa tani 80 përqind e shkollave janë angazhuar që ndërtesat e reja të projektohen me modën e gjelbër”.

Orlovski thotë se kolegjet dhe universitetit në gjithë botën kanë filluar të shqyrtojnë aspektet ekonomike të komplekseve të gjelbra universitare. Ai thotë se studentët dhe universitetit po përpiqen të plotësojnë nevojat e sotme pa ua lënë barrën brezave të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG