Lidhje

Skulpturë në nderim të aktivistes Rosa Parks


Në mjediset e Kongresit amerikan u përurua sot një skulpturë bronzi, gati 3 metra e lartë, për nder të veprimtares së të drejtave civile Rosa Parks. Kjo është skulptura e parë, e plotë, kushtuar një afrikano-amerikaneje që vendoset në Sallën e Statujave të Kongresit. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë presidenti Barak Obama dhe drejtuesit e Kongresit.

Presidenti tha se “Rosa Parks jetoi me dinjitet dhe fisnikëri” dhe në një moment të vetëm ndryshoi rrjedhën e historisë së vendit dhe të botës. Me vendosjen e statujës së saj në Kongres, tha presidenti “ajo zë vendin e merituar mes atyre që kanë përcaktuar kursin e Shteteve të Bashkuara”. Në vitin 1955, në një moment kyç për lëvizjen e të drejtave civile, Rosa Parks nuk pranoi t’i lëshonte vendin një të bardhi në autobus.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Montgomërit, në shtetin e Albamës, që në atë kohë ishte i ndarë në baza racore. Arrestimi i saj u bë shkas për bojktomin e autobuzëve për më shumë e një vit. Më 1956, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi ta shpallë të jashtëligjshme praktikën e ndarjes racore në mjetet e transportit publik.

Rosa Parks vdiq në vitin 2005 në moshën 92 vjeçare. Për nder të saj Shërbimi Postar nxorri një pullë më 4 shkurt të këtij viti me rastin e 100 vjetorit të lindjes.

XS
SM
MD
LG