Lidhje

SHBA, Padi kundër programit për sigurime shëndetësore


Ligjvënësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë paraqitur një padi gjyqësore ndaj administratës Obama në lidhje me planin e sigurimeve shëndetësore të njohur si Obamacare, duke u shprehur se administrata ka abuzuar me pushtetin e saj ekzekutiv.

Republikanët e paraqitën sot padinë ndaj Departamentit të Shëndetësisë, Departamentit të Shërbimeve Njerëzore, dhe Departamentit të Thesarit. Padia thotë se administrata Obama po shtyn në mënyrë të paligjshme zbatimin e një parashikimi ligjor që kërkon nga kompanitë me më shumë se 50 punonjës të ofrojnë mbulim më të lartë shëndetësor për ta.

Administrata e ka shtyrë dy herë zbatimin e këtij parashikimi ligjor.

Padia gjithashtu thotë se ligji për sigurimin shëndetësor do të lejojë një shpërndarje të paligjshme të fondeve duke u dhënë subvencionime kompanive për t’i ndihmuar të paguajnë kostot e sigurimit të punonjësve me të ardhura të ulëta.

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner ka thënë prej muajsh se do të padisë presidentin për këtë çështje. Në muajin korrik, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë që autorizoi presidentin të përdorë autoritetin e tij ekzekutiv për të ndryshuar pjesë të ligjit për kujdesin shëndetësor.

Padia mund të ndikojë edhe planet e Presidentit Obama për reformën e emigracionit. Senati i kontrolluar nga demokratët miratoi një projektligj për reformën e emigracionit, por Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët nuk e votoi.

XS
SM
MD
LG