Lidhje

SHBA: Protesta kundër programit të përgjimit


Protestues kundër përgjimeve u mblodhën para ndërtesës së Kongresit duke kërkuar hetimin e programeve masive të survejimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Protestuesit gjithashtu i bënë thirrje Kongresit të ndryshojë politikat e mbledhjes së informacioneve nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet “Ndalni Përgjimet Masive'', "Faleminderit, Eduard Snowden '' dhe të tjera, me shpresën për të nxitur Kongresin që të ndryshojë politikat mbi mbledhjen e informacioneve.

Jesselyn Radack e Projektit për Llogaridhënie të Qeverisë tha se përgjimet e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare po kërcënojnë dëmtimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me një numër vendesh.

"E di që vendet përgjojnë njëri-tjetrin, e kuptoj këtë. Shërbimet e zbulimit përgjojnë njëri-tjetrin, edhe ambasadat përgjojnë njëra- tjerën. Por përgjimi i telefonit celular të kancelares Angela Merkel nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare është i dëmshëm për marrëdhëniet tona me aleatët".

Shumica e protestuesve në Uashington mbanin fotografi të ish kontraktorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden, i cili tani jeton në Rusi, pasi publikoi dokumente sekrete që tregonin shkallën e përgjimit ndaj gazetarëve, dhe thanë se ai duhet të trajtohet si hero.

"Ne nuk duhet të ndjekim penalisht ata që tregojnë të vërtetën, ata që kanë ndriçuar abuzimet, ata nuk duhet të detyrohen të ikin në vende të tjera, nuk duhet t’i shkelim të drejtat e tyre, ata meritojnë respektin tonë", thotë protestuesi Mike Ewall.

Administrata e Shteteve të Bashkuara thotë se mbledhja e informacioneve nga të gjitha vendet është e nevojshme për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre kundër kërcënimeve të sigurisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG