Lidhje

SHBA: Protesta kundër kandidatëve republikanë për president

  • Kane Farabaugh

SHBA: Protesta kundër kandidatëve republikanë për president

SHBA: Protesta kundër kandidatëve republikanë për president

Ndërsa kandidatët republikanë për president shkojnë në gjithë shtetin e Iowa-s para zgjedhjeve të nesërme paraprake, ata priten nga përkrahës dhe demonstrues në takimet e tyre të fushatës. Në këto takime policia arrestoi dhjetra veta gjatë të ashtuquajturave protesta ‘Pushtimi i Zgjedhjeve Paraprake’ në javën para zgjedhjeve të para paraprake në kuadër të procesit për zgjedhjet presidenciale, që do të përfundojnë të martën e parë të nëntorit. Studentja e shkencave politike, Jessica Reznicek e konsideron veten aktiviste karriere.

“Duhet të jesh e përkushtuar për atë që bën dhe të pranosh faktin se nuk merr asgjë për punën që bën. Bëhet fjalë për një dedikim dhe entuziazëm të madh”.

Përkushtimi i saj ishte i hapur përpara selisë së fushatës së kandidates republikane Michelle Bachmann në një lagje periferike të qytetit Dë Moin.

“Duhet të shkosh në një pikë të caktuar dhe të sigurohesh që zëri yt dëgjohet dhe të shprehësh mendimin tënd rreth kandidatit dhe të thuash se ne jemi më të rëndësishëm se sa kandidati ose kandidatja”.

Protestuesit e lëvizjes ‘Pushtimi i Zgjedhjeve Paraprake’ shkuan me autobuz në zyrën e zonjës Bachmann për të protestuar kundër ndikimit të korporatave në fushatat elektorale. Kur protestuesit nuk përfillën paralajmërimet për të mos e kaluar kufirin e caktuar, policia ndërhyri dhe arrestoi 10 prej tyre.

Jessica Reznicek nuk pati mundësi të shprehte shqetësimet para ligjvënëses Bachmann pasi ajo qëndroi në selinë e fushatës së saj.

Kjo ishte protesta më e fundit në një seri protestash të lëvizjes ‘Pushtimi i Zgjedhjeve Paraprake’, e cila përfundoi si shumë të tjera: protestuesit shkuan në zyrat e kandidatit vetëm për t’u larguar nga policia.

“Ne po përpiqemi të fillojmë një diskutim dhe nëse kjo përfundon me arrestimin e disa prej shokëve të mi për të tërhqur gazetarët, ne do të bëjmë pikërisht këtë”.

Dutch Ruisch thotë se një prej taktikave të lëvizjes ‘Pushtimi i Zgjedhjeve Paraprake’ gjatë këtij procesi në shtetin Iowa është që shtimi i pranisë së medias të përdoret për të tërhequr politikanët në debat rreth çështjeve që shqetësojnë protestuesit.

“Unë nuk kam para të paguaj 1,000 dollarë për një pjatë gjellë që të dëgjoj kandidatët presidencialë. Pse nuk na dëgjojmë ne këta kandidatë, sepse nuk kemi para”?

Megjithë arrestimet gjatë fushatave të këtyre kandidatëve, protestuesit e lëvizjes ‘Pushtimi i Zgjedhjeve Paraprake’ thonë se nuk synojnë t’i ndërpresin zgjedhjet paraprake në Iowa.

“Ne nuk do të shkaktojmë asnjë problem në zgjedhjet paraprake në Iowa. Ne respektojmë privilegjin dhe të drejtën e amerikanëve për të votuar”.

Dutch Ruish thotë se protestuesit nuk janë të zemëruar vetëm me kandidatët republikanë, por ata kanë demonstruar edhe para zyrave të ligjvënësve demokratë në Iowa.

“Ne jemi shumë të pakënaqur me presidentin Obama. Ai premtoi 'shpresë', ai premtoi 'ndryshime'. Çfarë ka bërë ai”?

Dutch Ruisch thotë se mbi 1,000 vetë kanë marrë pjesë në protesta të tilla gjatë ditëve të fundit. Ai parashikon më shumë protesta në Dë Moin para se votuesit republikanë të mblidhen nesër për të zgjedhur kandidatin e tyre të preferuar.

XS
SM
MD
LG