Lidhje

SHBA: Protesta pas vrasjes së adoleshentit të paarmatosur

  • Chris Simkins

Tubimet e protestave dhe marshimet vazhdojnë në gjithë Shtetet e Bashkuara me thirrje për masa ligjore ndaj goditjes me armë zjarri që solli vdekjen e një adoleshenti afrikano-amerikan të paarmatosur nga një i bardhë hispanik, para një muaji. Policia nuk e arrestoi dhe as nuk ngriti akuza kundër tij. Departamenti amerikan i Drejtësisë po heton mundësinë e akuzave për një krim urrejtjeje në lidhje me ngjarjen. Një juri në shtetin e Floridës do të mblidhet këtë muaj për të shqyrtuar të gjitha të faktet që kanë të bëjnë me çështjen.

Detaje të reja për këtë rast ofrojnë mbështetje për pretendimet e George Zimmermanit sipas së cilave ai hapi zjarr ndaj Trayvon Martinin për t’u vetëmbrojtur. Craig Sonner është avokati i Zimmermanit.

“George Zimmerman u sulmua atë natë nga Trayvon Martin dhe pati një frakturë në hundë dhe një plagë prapa kokës”.

Një shok i Zimmermanit, Joe Oliver thotë se ai i kishte thënë të njëjtën gjë.

“Trayvon iu afrua nga pas George-it dhe e pyeti si ishte puna, a kishte ndonjë problem. Pasi George u përgjigj ‘Jo, nuk kam ndonjë problem’ dhe u përpoq të nxirrte telefonin, Trayvon papritur i ra me grusht”.

Zimmerman fillimisht e pa Martinin natën e 26 shkurtit ndërsa ai ecte në rrugët e kompleksit privat ku jetonte në Sanford të Floridës. Ai telefonoi policinë.

“Duket se ky djalë ka diçka ndër mend, sikur është i droguar”.

Policia i tha Zimmermanit të mos ta ndiqte adoleshentin, por Zimmerman tha më pas se Martin e sfidoi.

Ja ç’thotë shoku i Zimmermanit, Joe Oliver:

“George nuk kishte si synim të vriste askënd. Ai qau për ditë të tëra, pasi ndodhi ngjarja”.

Policia nuk e ka akuzuar Zimmermanin me ndonjë krim mbështetur në një ligj për vetëmbrojtje në Florida që u jep njerëzve të drejtën të vetëmbrohen me forcë vdekjeprurëse.

Vdekja e Martinit ka shkaktuar një valë indinjate në gjithë vendin. Shumë protestues veshin xhaketa me kapuç, në kujtim të 17 vjeçarit i cili kishte veshur një të tillë natën që vdiq.

Jamie Jones është protestuese nga Nashville i Tenesisë.

“Mund t’i kishte ndodhur tim biri. Mund të kishte qenë i biri i kujtdo, prandaj dikush duhet të ngrejë zërin për Trayvonin, sepse ai nuk flet dot më”.

“Më dhemb në shpirt kur dëgjoj se si shpifin për djalin tim”.

Ndërsa protestat shtohen, prindrit e Martinit thonë se raca kishte luajtur rol në vdekjen e të birit dhe se duan që George Zimmerman të arrestohet. Mamaja e Martinit, Sabryna Fulton.

“E di që djali im nuk kthehet dot më, por unë do të luftoj që kjo të mos i ndodhë një familjeje tjetër”.

Ky rast ka tërhequr vëmendjen e gjithë vendit. Dhe protestuesit thonë se do të vazhdojnë të dalin në marshime, në shenjë solidariteti për Trayvon Martin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG