Lidhje

Protesta në mbarë SHBA kundër dhunës policore


Për të dytën natë rresht, mijëra protestes të indinjuar kanë marshuar në qytetet amerikane kundër vendimit të një jurie për mos ngritjen e akuzave ndaj një polici të bardhë në qytetin e Nju Jorkut. Polici përdori teknikën e shtrëngimit të qafës, gjatë arrestimit të një afrikano-amerikani, i cili vdiq pak minuta më vonë.

Në Nju Jork, policia arrestoi mbrëmë disa njerëz gjatë protestave me tone emocionale dhe me shprehje indinjate. Zemërimi është përhapur në Uashington dhe qytete të tjera pas vendimit të një jurie për të mos nxjerrë para gjykatës një polic të bardhë në Nju Jork për vdekjen e afrikano-amerikanit Eric Garner. Garner vdiq pak pas arrestimit, gjatë të cilit polici përdori teknikën e shtrëngimit të qafës, kur personi ishte rrëzuar për tokë.

Sherry Goss është banore e Uashingtonit.

“Jemi zhgënjyer, pasi ngjarja është e filmuar dhe askush nuk e përfilli këtë. Juria ka gjykuar një rast që nuk i takon asaj”.

Ekperti mjeko-ligjor arriti në përfundimin se vdekja kishte ardhur si rezultat i shtrengimit të qafës. Policia e Nju Jorkut e kishte hequr përdorimin e kësaj taktike në vitin 1993.

Kryetari i bashkisë Bill DeBlasio u përpoq të ulë tensionet duke njoftuar një program trajnimi për policinë.

“Një prej pikave kryesore në akademi do të jetë përmirësimi i mënyrës se si policët komunikojnë me banorët,” tha zoti DeBlasio.

Aktivistët e të drejtave civile po bëjnë thirrje për përfshirjen e qeverisë federale në vendime të ngjashme si ato të jurisë në Nju Jork dhe Ferguson të Mizurit, ku një polic i bardhë vrau një adoleshent afrikano-amerikan. Në Uashington është planifikuar një marshim kombëtar për të protestuar kundër vendimeve të dy jurive.

XS
SM
MD
LG