Lidhje

CIA: Bin Laden ishte udhëheqës aktiv i operacioneve të al-Kaidës

  • Al Pesin

CIA: Bin Laden ishte udhëheqës aktiv i operacioneve të al-Kaidës

CIA: Bin Laden ishte udhëheqës aktiv i operacioneve të al-Kaidës

Shtetet e Bashkuara kanë publikuar një numër video-klipesh të zbuluara në kompleksin ku u vra Osama bin Laden. Sipas pohimeve të zyrtarëve amerikanë, dokumentet e marra nga kompleksi në Abotabad, videot dhe të dhënat kompiuterike tregojnë se bin Ladeni ishte shumë më tepër se një figurë simbolike për organizatën. Agjencia Qendrore amerikane e Zbulimit thotë se kompleksi ku u vra Osama bin Ladeni në Pakistan shërbente si qendër aktive kontrolli dhe komande për al-Kaidën dhe se bin Ladeni ishte i përfshirë drejtpërdrejt në drejtimin e operacioneve të organizatës. Një zyrtar i lartë i zbulimit i bëri komentet në një seancë informimi në Pentagon.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se provat materiale të zbuluara nga ekipi special ishin faktikisht një thesar i vërtetë, më i madhi me dëshmi nga ish-udhëheqësi terrorist. Ai tha se ka kaq shumë material, sa që zyrtarët ende nuk kanë mbaruar procesin e katalogimit.

Sipas pohimeve të zyrtarit, të dhënat e grumbulluara japin një panoramë të rëndësishme mbi operacionet e al-Kaidës. Ai nuk dha hollësi por nënvizoi se informatat tregojnë se bin Ladeni ishte aktiv në gjenerimin e ideve për sulme terroriste kundër Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, ofronte udhëzime taktike dhe operacionale dhe drejtonte operacionet e përditshme. Ai thotë se bin Ladeni nuk ishte thjeshtë një figurë simbolike apo strategjike, siç mendonin shumë veta.

Në një deklaratë me shkrim, drejtori i CIA-s Leon Paneta tha se këto fakte konfirmojnë sa të rëndësishme ishin përpjekjet për kapjen e bin Ladenit”.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti tha se bin Ladeni vazhdonte të tregonte vëmendje të veçantë për sulmet kundër objekteve të transportit dhe formave të tjera të transportit, që kanë qenë edhe në të kaluarën objekt sulmesh nga al-Kaida. Ai thotë se bin Ladeni e drejtonte organizatën përmes udhëzimeve të dërguara me korrierë, të ngjashëm me ata që pa dashje i ndihmuan agjentët amerikanë të zbulojnë vendin ku ndodhej kompleksi i bin Ladenit, ku nuk kishte as linja telefoni, as internet.

Një nga video-klipet e publikuara tregon bin Ladenin duke parë televizor, ku po transmetohet një kronikë lajmesh mbi të. Në atë regjistrim, duket qartë se mjekrra e bin Ladenit është zbardhur.

Në një tjetër video-klip që ishte realizuar si mesazh drejtuar Shteteve të Bashkuara, bin Ladeni shfaqet me mjekërr të zezë. Sipas zyrtarit kjo tregon se ai kishte filluar të lyente flokët dhe mjekrrën për të ruajtur imazhin publik. Zyrtari thotë se videoja ishte regjistruar në fund të vitit të kaluar. Tre video-klipet e tjera kanë xhirime të provave për të regjistruar mesazhin.

Zyrtari i lartë i zbulimit thotë se ekipi ka mbledhur edhe kopje dixhitale dhe në letër të korrespondencës personale të bin Ladenit. Ai tha se video dhe dokumente të tilla nuk ka si të ishin në pronësi të dikujt tjetër përveçse bin Ladenit.

Zyrtari dha gjithashtu disa hollësi mbi konfirmimin zyrtarisht të identitetit të trupit të bin Ladenit. Ai tha se një program modern kompiuterik për identifikimin e tipareve faciale kishte konfirmuar me siguri 95 për qind se ky ishte vërtetë bin Ladeni pas krahasimit me fotografitë e mëparshme të udhëheqësit të kreut të al-Kaidës.

XS
SM
MD
LG