Lidhje

SHBA: Me fillimin e punës së Kongresit të ri, përsëriten thirrjet për ndryshime

  • Michael Bowman

SHBA: Me fillimin e punës së Kongresit të ri, përsëriten thirrjet për ndryshime

SHBA: Me fillimin e punës së Kongresit të ri, përsëriten thirrjet për ndryshime

Pas një prej seancave më produktive pas zgjedhore në historinë e Shteteve të Bashkuara, amerikanët presin të shikojnë nëse Kongresi i ri do të gjejë një gjuhë të përbashkët, apo do të zhytet përsëri në debatet politike boshe, që kanë penguar Uashingtonin të zgjidhë çështje të rëndësishme. Ndarjet partiake janë bërë të qarta pas zotimit të shumicës së re republikane në Dhomën e Përfaqësuesve për të shfuqizuar ligjin e kujdesit shëndetsor të Presidentit Barak Obama. Beteja të tjera partiake kanë të bëjnë me shpenzimet dhe borxhin e qeverisë federale, programet qeveritare për pensionistët, politikën energjitike, reformën e imigracionit dhe të tjera.

Mes përplasjeve të vazhdueshme politike të Uashingtonit, legjislacioni për të diskutuar mbi përparësitë e vendit shpesh lihet mënjanë.

Për aq kohë sa asnjëra parti nuk është e aftë të miratojë axhendën e saj ose e gatshme të bëjë kompromis mbi parime thelbësore, ngërçi politik nuk mënjanohet. Gjatë dy vjetëve të fundit, Senati ka kaluar nëpër më shumë mocione procedurale për të bllokuar ligje të caktuara se sa gjatë gjithë shekullit të 19-të dhe 20-të së bashku.

"Kam ndjekur politikat e Kongresit për më shumë se 41 vjet, dhe asnjëherë nuk e kam parë kaq keq", thotë Norman Ornstin, në Institutin Amerikan Enterprise.

Presidenti Obama erdhi në Shtëpinë e Bardhë me premtimin për të arritur konsensus dhe për të ndryshuar tonin politik shpesh toksik në Uashington. Por shumica e fitoreve të tij legjislative janë arritur megjithë opozitën republikane thuajse të njëzëshme, të shoqëruara me disa prej retorikave më të nxehta të përjetuara në dekada me rradhë.

Me fillimin e punës së Kongresit të ri, janë përsëritur thirrjet për ndryshime.

"Bota e brezit të ardhshëm do të ndryshojë shumë shpejt prandaj partitë politike nuk mund të përqendrohen kaq shumë në zgjedhjet e ardhshme. Shekulli 21 mund të jetë një shekull tjetër amerikan, por vetëm nëse ne rikthejmë një ndjenjën e përgjegjësisë dhe zëvëndësojmë retorikën e ashpër të fushatës me një diskutim më të gjerë për të mirën e vendit tonë", tha senatori Xhon Kerri.

Seanca e Kongresit pas zgjedhjeve të nëntorit të kaluar ngjalli një fare shprese. Demokratët dhe republikanët gjetën një gjuhë të përbashkët mbi çështje të debatueshme fiskale, madje miratuan një ligj mbi taksat, të pranueshëm nga të dyja partitë. Kongresi miratoi shumë ligje të tjera, shpesh me mbështetjen minimale të republikanëve.

"Ajo që nuk mund të bëjmë, tha presidenti Obama, është të angazhohemi përsëri në betejat politike të dy vjetëve të fundit, që na penguan të përqëndroheshim në punën e vështirë për të përmirësuar ekonominë".

Por republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se kanë marrë një mandat nga votuesit që të ndalojnë ose zbrapsin axhendën e presidentit Obama, përfshirë edhe arritjen kryesore të tij, ligjin e kujdesit shëndetsor.

"Ne, tha republikani Fred Upton, do të analizojmë dhe shfuqizojmë çdo nen të këtij ligji, derisa ai të mos ketë fuqi ligjore".

Jo kaq shpejt, thotë udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Harry Reid.

"Republikanët duhet ta kuptojnë se ligji i kujdesit shëndetsor nuk do të shfuqizohet".

Mbetet për t’u pare nëse incidenti vdekjeprurës në Arizona, me objektiv anëtaren e Kongresit Gabriel Gifords, e cila u plagos në kokë, do të ketë një ndikim të gjatë në debatin politik të vendit, nëse ky incident do të qetësojë temperamentet dhe retorikat për të krijuar hapësirë më të madhe për kompromis. Tani për tani, incidenti i Arizonës duket se ka nxitur një ndjenjë uniteti mes anëtarëve të Kongresit, ndjenjë kjo e pasqyruar në deklaratën e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Xhon Bejnër:

"Një sulm kundër një personi që i shërben vendit, është një sulm kundër të gjithë personave që i shërbejnë vendit. Akte të tilla nuk kanë vend në shoqërinë tonë".

Pas tragjedisë së Arizonës, Dhoma e Përfaqësuesve shtyu punën e planifikuar, përfshirë edhe votimin për të shfuqizuar ligjin e kujdesit shëndetsor.

XS
SM
MD
LG