Lidhje

Vendet e punës në SHBA


Ekonomia më e madhe e botës vazhdon të përmirësohet, me një rritje në numrin e vendeve të punës në nëntor. Qeveria amerikane thotë se kompanitë amerikane punësuan më shumë njerëz se sa pritej muajin e kaluar, duke e ulur shkallën e papunësisë në 7 përqind, niveli më i ulët në pesë vjet. Por, pavarësisht përmirësimit të vazhdueshëm, mbeten disa dyshime rreth qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes ekonomike amerikane.

Bizneset amerikane shtuan 203 mijë vende pune në nëntor. Me këtë shifër, mesatarja 4 mujore shkon në 200 mijë njerëz të punësuar në muaj.
Hera e fundit që shkalla e papunësisë ishte aq e ulët ishte 5 vjet më parë. Zoti Mark Hamrick i kompanisë Bankrate.com thotë se ulja e shkallës së papunësisë këtë muaj ishte ndryshe. Ai bisedoi me Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it.

“Kësaj rradhe është shumë ndryshe. Pjesëmarrja e fuqisë punëtore ishte e qëndrueshme dhe kishte përmirësim të gjerë në tregun e punës. Vendet e shtuara të punës nuk ishin punë të rëndomta si ato të muajve të mëparshëm.”

Kjo nënkupton përfitime në industritë që paguajnë më shumë. Industria përpunuese shtoi 27 mijë vende pune dhe ajo e ndërtimit 17 mijë. Java mesatare e punës u rrit dhe po ashtu edhe paga për orë. Dhe pavarësisht fillimit të dobët të shitjeve me pakicë për festat e fundvitit, punësimi në qendra tregtare dhe dyqane ka qenë i qëndrueshëm, thotë Kathy Grannis e Federatës Kombëtare të Shitjeve me Pakicë.

“Pritet që shitësit me pakicë të punësojnë 702-750 mijë persona. Kjo shifër ndjek ritmin e vitit të kaluar, kështu që, patjetër se me rritjen e pritshme vjen edhe mundësia për të punësuar më shumë njerëz”.

Pavarësisht shqetësimeve se një përmirësim në ekonomi do të shtrëngonte kreditimin nga banka qendrore, rritja e fuqishme e vendeve të punës ishte lajm i mirëpritur në Uoll Strit. Por ende mbeten dyshime rreth qëndrueshmërisë në ritmet e përmirësimit të ekonomisë amerikane. Zoti Hamrick thotë se një ngërç tjetër politik rreth buxhetit në Kongres mund t’i eliminojë lehtësisht arritjet e fundit.

“Konsumatorët janë të shqetësuar rreth mosfunksionimit të Uashingtonit që duket se është bërë i zakonshëm.”

Kongresi përballet me një afati të ri buxhetor më 13 dhjetor. Pa një marrëveshje dypartiake mbi shpenzimet, qeverisë mund t’i mbarojnë fondet në janar.
XS
SM
MD
LG