Lidhje

SHBA: Qeveria sfidon ligjin e Arizonës për imigracionin

  • Zëri Amerikës

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka depozituar një akt-padi që sfidon kushtetutshmërinë të ligjit të debatueshëm të imigracionit të miratuar nga shteti perëndimor i Arizonës. Sipas akt-padisë, zbatimi i rregullave e imigracionit është përgjegjësi e qeverisë federale dhe ligji i Arizonës ndërhyn në këtë autoritet.

Ligji i Arizonës kishte si qëllim të ndalte valën e mijëra imigrantëve të paligjshëm që kapërcejnë kufirin e Arizonës me Meksikën çdo muaj. Sipas ligjit, policia duhet të kontrollojë statusin e imigracionit të një personi nëse dyshon se personi ndodhet ilegalisht në vend.

Me këtë ligj, që është parashikuar të hyjë në fuqi më 29 korrik, Arizona do të bëhej shteti i parë që e bënte imigracionin e paligjshëm një vepër penale shtetërore, duke shtuar ndëshkimin dhe masat e veta detyruese përveç atyre të qeverisë federale.

Guvernatorja e Arizonës, Jan Brewer reagoi menjëherë në mbrojtje të masës që ajo e ktheu në ligj duke e nënshkruar.

“Mendoj se ka një prirje jo vetëm në Arizona, por në gjithë Shtetet e Bashkuara pasi njerëzit duan që qeveria federale të reagojë. Prandaj ndoshta do të shohim ligje të tilla në shtete të tjera. Ne duam që qeveria federale të bëjë punën e saj dhe nëse nuk e bën atëherë do ta bëjë Arizona”.

Akt-padia e Departamentit të Drejtësisë vjen më pak se një javë pas një fjalimi që Presidenti Barak Obama mbajti për imigracionin në Uashington.

“Këto ligje mund të shkelin të drejtat e qytetarëve të pafajshëm amerikanë dhe banorëve të ligjshëm, duke i bërë objekt të ndalimeve të mundshme apo marrjes në pyetje për shkak të pamjes apo theksit të tyre”.

Shqetësimi i shprehur nga Presidenti Obama i bën jehonë qëndrimit të grupeve të të drejtave civile që thonë se ligji do të sillte si rezultat diskriminimin për shkak të racës. Edhe Meksika e ka kundërshtuar ligjin e ri.

XS
SM
MD
LG