Lidhje

SHBA: Reagime rreth deklaratës mbi martesat e çifteve të të njëjtit seks

  • Michael Bowman

Presidenti amerikan Barak Obama tha se tani ai beson se çiftet e të njëjtit seks duhet të lejohen të martohen, duke hapur me këtë deklaratë një çështje që mund të sjellë debate të ashpra në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Është hera e parë që një president amerikan shpreh hapur mbështetje për martesa mes personave të të njëjtit seks.

Presidenti Obama i bëri komentet dje, në një intervistë televizive me rrjetin ABC News.

"Më duhet t’ju them se gjatë disa viteve, duke biseduar me miqtë, familjen dhe fqinjët, kur mendoj se në stafin tim ka njerëz që janë në marrëdhënie me persona të të njëjtit seks e që rrisin fëmijë së bashku, kur mendoj për aviatorët, marinsat ose ushtarët që luftojnë në emrin tim, dhe ende ndjehen të kufizuar, sepse nuk janë në gjendje të angazhohen në një martesë, kam arritur në përfundimin se për mua personalisht, është e rëndësishme të afirmoj atë që mendoj: se çiftet e të njëjtit seks duhet të jenë në gjendje të martohen”.

Në rrugët e Uashingtonit, kalimtarët shprehën opinione të prera rreth deklaratës së Presidentit.

Ja ç'thotë Kate Brown nga shteti Maryland:

"Unë mbështes barazinë e martesës, prandaj u gëzova. Duhet të jetë një e drejtë universale të duash njeriun që dëshiron të duash dhe të marrësh të njëjtat përfitime sociale."

Ndërsa Rupert Moreno nga Uashingtoni thotë se ai ka shumë miq homoseksualë por nuk e mbështet të drejtën e tyre për t'u martuar me njëri-tjetrin.

"Unë mendoj se kemi të bëjmë me një devijim. Nëse ecim në këtë rrugë atëhere do të kemi njerëz që do të bëjnë poligami. Pse të mos lejojmë edhe martesën midis një burri dhe disa grave? Do ju pëlqente kjo?"

Organizatat e interesuara nuk humbën kohë por u përfshinë në debat. Grupi konservator Këshilli për Studimin e Familjes, e quajti njoftimin e presidentit Obama "zhgënjyes, por jo për t'u habitur" dhe parashikon se martesat e të njëjtit seks do të jenë "një çështje madhore" në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

Ndërkohë, grupet për të drejtat e homoseksualëve e përshëndetën deklaratën: Ja ç’thotë Michael Cole-Schwartz, përkrahës i të drejtave për homoseksualët.

"Është një ditë e madhe. Duke premtuar mbështetjen e tij të plotë për barazinë e martesës, Presidenti tregoi një rol të fortë udhëheqës”.

Cole-Schwartz thotë se u gëzua shumë kur dëgjoi lajmin.

"Mendoj se ka diçka të jashtëzakonshme, të fuqishme kur udhëheqësi i botës së lirë del në televizion dhe deklaron se i vlerëson njëlloj të gjitha familjet". Unë mendoj se familje të tilla kanë nevojë për të njëjtat mbrojtje. Mendoj se deklarata e tij dërgon një sinjal mjaft pozitiv."

Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se një shumicë e vogël e amerikanëve janë në favor të martesave mes të njëjtit seks. Vetëm pak vjet më parë, opinioni publik ishte vendosmërisht kundër një ideje të tillë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG