Lidhje

SHBA: Republikanët dhe imigracioni


Përkrahësit e reformës së imigracionit thonë se këtë muaj do t'u bëjnë presion anëtarëve të Kongresit të miratojnë legjislacionin që krijon një shteg drejt shtetësisë për shumicën e 11 milion imigrantëve pa dokumenta në Shtetet e Bashkuara. Senati ka miratuar një ligj gjithëpërfshirës reformash, por Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët është duke lëvizur më ngadalë.


Përkrahësit e reformës së imigracionit mblidhen pranë Kapitolit në Uashington, duke shpresuar për të bindur ligjvënësit për të vepruar. Por republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duket se nuk nxitohen, duke përfshirë ligjvënësin Steve King. Kohët e fundit, ai ngjalli zemërim kur i cilësoi shumë emigrantë të rinj si kontrabandistë droge.


"Për çdo një të mirë, ka 100 të tjerë që merren me transportin e marihuanës", tha ai.

Mes atyre që e dënojnë ligjvënësin King për këto fjalë është kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.


"Çfarë thotë ai nuk pasqyron vlerat e popullit amerikan apo të Partisë Republikane. Ne të gjithë duhet të bëjmë punën tonë në mënyrë konstruktive, të hapur dhe të respektueshme."


Debati mbi emigracionin i ka ndarë republikanët në Kongres, sidomos mbi hapin drejt shtetësisë. Shumë konservatorë e shohin atë si amnisti për ata që kanë hyrë në vend ilegalisht. Carroll Doherty është i qëndrës kërkimore Pew në Uashington.


"Ata duken të hutuar për drejtimin që duhet të marin, dhe madje për disa prej parimeve themelore të filozofisë së tyre. A paraqiten ata më të moderuar në çështje si martesa e homoseksualëve dhe imigrimi apo jo? "


Republikanët e moderuar favorizojnë një version të reformës së imigracionit, thotë këshilltari republikan Ford O'Connell.


"Ky është sinjal për hispanikët, për aziatikët, për pakicat e tjera se ne kujdesemi për gjendjen tuaj, sepse e kuptojmë se ju nuk do të dëgjoni se çfarë kemi për të thënë mbi politikën në qoftë se mendoni se ne përpiqemi për të deportuar gjyshen tuaj."


Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve thonë se nuk do të ndjekin shembullin e Senatit dhe të miratojnë një ligj gjithëpërfshirës. Përparësia e tyre është shtimi i kontrollit të kufirit SHBA - Meksikë.


Megjithë përparimin e ngadalshëm në Dhomën e Përfaqësuesve, udhëheqësja demokrate, Nancy Pelosi mbetet optimiste.


"Unë jam optimiste për këtë, sepse reforma duhet të ndodhë. Ne nuk mund të biem në dëshpërim."


Dështimi për të arritur deri te votuesit e pakicave mund të ketë pasoja të mëdha për një parti Republikane që po përpiqet për të ndryshuar imazhin e saj, thotë Ford O'Connell.


"Se republikanët janë të shqetësuar vetëm për votuesit e bardhë dhe nuk interesohen për votuesit e pakicave, dhe më vjen keq të them se në qoftë se reforma e imigracionit nuk miratohet për shkak të republikanëve, në afat të gjatë kjo mund të sjellë fund e Partisë Republikane."

Dhoma e Përfaëqsuesve rifillon debatin mbi emigracionin, kur ligjvënësit të kthehen nga pushimet në Uashington muajin e ardhshëm.
XS
SM
MD
LG