Lidhje

SHBA, Përpjekje për reformën e imigracionit


US Capitol
US Capitol

Fati i reformës së imigracionit mund të vendoset në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane, pasi Kongresi të rifillojë punimet

Fati i reformës së imigracionit në SHBA mund të vendoset në Dhomën e Përfaqësuesve me shumicë republikane, pasi Kongresi të rifillojë punimet në fillim të shtatorit. Por gjatë këtyre pushimeve pesë javore, përpjekjet kanë vazhduar për të ushtruar trysni ndaj ligjvënësve në favor të një mundësie për personat pa dokumente për të marrë shtetësinë amerikane, elementi më i debatueshëm i reformës së imigracionit.

Ndërsa, Kongresi ishte gjatë pushimeve të verës, në Kaliforni me qindra aktivistë u mblodhën në distriktin e ligjvënësit republikan Kevin McCarthy, me shpresën për të ndryshuar qëndrimin e tij ndaj reformës së imigracionit.

Synimi i tyre është të sigurojnë në Dhomën e Përfaqësuesve një votë pro reformës gjithëpërfshirëse të imigracionit, që do të lejonte 11 milionë emigrantë pa dokumente të mund të bëheshin shtetas amerikanë.

"Çdo grup emigrantësh që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara kanë qenë në gjendje të marrin shtetësinë, duke nisur që nga themeluesit e vendit, të cilët ishin imigrantët e parë që erdhën, deri tek ata që kanë ardhur këtu së fundmi," thotë aktivistja Dolores Huerta.

Ligjvënësi McCarthy nuk ishte i pranishëm kur demonstruesit hynë në zyrën e tij të zonës.

Por një deklaratë në faqen e tij të internetit përjashtonte mundësinë e një procedure drejt marrjes së shtetësisë: "Nuk duhet të japim asnjë amnisti prej të cilës të përfitonin ata që shkelën ligjet tona duke hyrë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht".

Qëndrimi i zotit McCarthy pasqyron atë të shumicës së republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët nuk e mbështesin reformën e imigracionit as pas demonstratave në distriktet e Kongresit në të gjithë vendin. Sipas konsulentit republikan John Feehery, aktivistët duhet të ndryshojnë taktikat e tyre.

"Gjëja më e gabuar që aktivistët e imigracionit mund të bëjnë është të shkojnë pranë zyrave të ligjvënësve republikanë dhe të protestojnë. Mënyra më efikase për ta do ishte të regjistroheshin për zgjedhjet paraprake republikane dhe të premtonin për të votuar kundër çdo republikani që nuk e mbështet reformën e imigracionit."

"Këto janë marrëzira!"

Koordinatori i përpjekjeve lobuese pro-reformës, në Uashington, Frank Sharry.

"Politika bazohet tek ushtrimi i trysnisë. Ajo ka të bëjë me organizimin, me mobilizimin. Ka të bëjë me ngritjen e zërit, që të dëgjohet."

Zoti Sharry shton se ligjvënësit po ndjejnë presion nga një grup i gjerë njerëzish, jo vetëm nga aktivistët në rrugë.

"Ata po kontaktohen nga emigrantët e komunitetit të tyre, nga njerëzit e biznesit, nga sipërmarrësit e teknologjisë, nga klerikët evangjelistë, nga peshkopët katolikë si dhe nga udhëheqësit e sindikatave. Është diçka shumë e pazakontë për politikën amerikane. Pra, kemi shumë shpresë."

Por, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner e ka përjashtuar votimin mbi projekt-ligjin e reformës gjithëpërfshirëse të miratuar nga Senati, duke preferuar të fillojë me përforcimn e zbatimit të ligjit.

"Është e qartë se sigurimi i kufijve dhe aftësia për të zbatuar ligjet tona të emigracionit është hapi i parë i madh në këtë proces."

"Sondazhet tregojnë se baza republikane, pra votuesit, nuk duan që ligji i ashtuquajtur "i amnistisë" të miratohet. Dhe çdo gjë me natyrë gjithëpërfshirëse konsiderohet amnisti prej tyre. Kjo e bën të vështirë që udhëheqësit republikanë të mund të bëjnë përmirësimet e nevojshme legjislative."

Demokratët, në anën tjetër, nuk do të mbështesin asnjë projekt-ligj që përjashton procesin për marrjen e shtetësisë. Kështu, situata e bllokuar politike për reformën e imigracionit vazhdon, pavarësisht përpjekjeve të aktivistëve.

XS
SM
MD
LG