Lidhje

Ligjvënësit mbi propozimet për reforma në shërbimet e zbulimit


Një ligjvënës amerikan thotë se programet e grumbullimit të të dhënave nga Agjencia për Sigurinë Kombëtore do të jenë në qendër të një seance me pyetje-përgjigje muajin e ardhshëm.

Kreu i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, demokrati Patrick Leahy thotë se Agjencia për Sigurinë Kombëtare do të bëhet subjekt vëmendjeje më të madhe kur ligjvënësit të kthehen në Uashington muajin e ardhshëm. Në komentet për programin Meet the Press të rrjetit NBC, Senatori Leahy tha se senatorët do të rishikojnë rekomandimet e komisionit të pavarur presidencial për programet e grumbullimit të të dhënave që kanë zgjuar shqetësim në vend dhe jashtë tij.

"Për herë të parë publiku do të prezantohet me analizën e komisionit të pavarur kur të diskutohen përfundimet para Komisionit të Senatit për Gjyqësorin pas disa javësh”.

Javën e kaluar, Presidenti Obama tha se po rishikon 46 rekomandimet e paraqitura nga komisioni për të mbrojtur më mirë komunikimet private dhe informatat personale, ndërkohë që përmbushen nevojat e shërbimeve qeveritare për sigurinë kombëtare. Senatori Leahy thotë se saga e problemeve që lindën pas nxjerrjes së informatave shtetërore nga ish-kontraktori i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare Edward Snowden e bën të qartë se agjencia ka nevojë për reforma:

"Agjencia ka bërë punë aq të dobët, sa që një kontraktor arriti të mblidhte sekretet e tyre”.

Po në komentet për rrjetin NBC, ligjvënësi republikan Peter King paralajmëroi të mos ketë kërcënime e kanosje ndaj aparatit amerikan të zbulimit:

"Nuk mendoj se të gjithë duhet të dinë çfarë bën një agjenci zbulimi. Vetë natyra e tyre e punës kërkon që veprimtaria të jetë sekrete. Për mendimin tim, i gjithë debati doli nga histeria që u krijua nga nxjerrja e sekreteve nga kontraktori Snowden. Cfarë duhet të bëjmë? Të kufizojmë një sistem që funksionon dhe të dorëzohemi të vetmit para rrezikut?”

Ligjvënësi King shtoi se nëse Agjencia për Sigurinë Kombëtare do të kishte pasur në vitin 2001 kapacitetet që ka sot, ndoshta mund të kishte parandaluar sulmet terroriste të 11 shtatorit. Senatori Leahy tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një agjenci efektive zbulimi, e cila njëkohësisht të jetë përgjegjëse para popullit amerikan.
XS
SM
MD
LG