Lidhje

SHBA: Kërkohen reforma për praktikën e survejimit


Senatorët amerikanë nga të dyja partitë po propozojnë ndryshime në mënyrën se si Agjencia e Sigurisë Kombëtare – NSA mbledh informacion në përpjekje për të identifikuar terroristë dhe kërcënime të tjera. Disa ligjvënës dëshirojnë të kufizojnë ose të ndërpresin grumbullimin masiv të tabulateve telefonike dhe postës elektronike nga agjencia.

Sulmi i fundit në një qendër tregtare në Nairobi, Kenia, është një arsye që Agjencia e Sigurisë Kombëtare (NSA) të vazhdojë aktivitetet e saj të mbledhjes së informacionit, sipas drejtorit të agjencisë. Në një seminar për sigurinë kibernetike në Uashington, Gjenerali Keith Alexander tha se agjencia e tij ka nevojë për instrumentat për të parandaluar sulme të tilla në Shtetet e Bashkuara.

“Nëse nuk i kemi këto instrumenta, kujtoni se ç’ndodhi javën e kaluar dhe çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Nëse mendoni se situata është keq tani, imagjinoni se si mund të ndryshojnë gjërat, nëse na ndodhin tragjedi si ajo e Nairobit në këtë vend. Dhe ne do të dështonim”.

Që kur ish-kontraktori i sigurisë Edward Snowden tha publikisht këtë vit se NSA ka mbledhur të dhëna nga telefonatat dhe posta elektronike e Amerikanëve dhe të huajve jashtë, ka patur kundërshtime në vend dhe jashtë tij. Anëtarët e Komisionit të Zbulimit të Senatit po punojnë për një ligj i cili do ta kufizonte ose eliminonte atë praktikë. Senatori demokrat Ron Wyden dëshiron t’i jepet fund mbledhjes masive të telefonatave dhe postës elektronike.

“Dhjetra deklarata publike mashtruese të bëra nga zyrtarët e lartë të zbulimit kanë dëmtuar tani besueshmërinë e udhëheqjes në komunitetin e inteligjencës brenda dhe jashtë vendit. Qeveritë e huaja dhe qytetarët e tyre po e humbin besimin tek qeveria amerikane. Ky nuk është një problem i vogël”.

Presidentja braziliane Dilma Rousseff anulloi një vizitë zyrtare në Shtëpinë e Bardhë për shkak të kësaj çështjeje. Ajo kritikoi Shtetet e Bashkuara në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Siguria e një qytetari të një vendi nuk duhet të garantohet përmes shkeljes së të drejtave civile dhe të njeriut, të cilat janë thelbësore për qytetarët e një vendi tjetër”.

Por Gjenerali Alexander thotë se shumë amerikanë të cilët kundërshtojnë mbledhjen e tabulateve telefonike dhe postës elektronike nga NSA po keqinformohen nga raportet e pasakta në media. Në seminarin e sigurisë kibernetike, ai tha se NSA nuk po grumbullon përmbajtjen e telefonatave dhe mesazheve elektronike që monitoron. Ai tha gjithashtu se aleatët e Shteteve të Bashkuara vlerësojnë mbledhjen e të dhënave sepse ato mbrojnë edhe vendet e tyre nga sulmet terroriste.

“Shumë njerëz më kanë pyetur, si ka ndikuar kjo në marrëdhënien tuaj me aleatët? Aleatët më thonë: ‘Vazhdoni të punoni me ne. Të dhënat që na jepni për të mbrojtur vendin tonë është ajo që na duhet.”

Kryetarja e komisionit të Senatit, senatorja demokrate Dianne Feinstein, thotë se NSA duhet të vazhdojë mbledhjen e të dhënave. Ajo mbështet një projektligj më pak kufizues i cili do të ndalonte NSA-në nga mbledhja e përmbajtjes së telefonatave dhe mesazheve elektronike.
XS
SM
MD
LG