Lidhje

SHBA: Debati mbi sigurinë dhe refugjatët


Administrata e presidentit Obama nuk i ka ndryshuar planet për rritjen e numrit të refugjatëve që do të pranohen në Shtetetet e Bashkuara gjatë vitit të ardhshëm në 110 mijë, një shtesë prej 30 përqind në krahasim me këtë vit. Kjo mund të intensifikojë debatin kombëtar mbi lidhjet mes emigracionin dhe sigurisë të përqendruar te refugjatët sirianë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Swicord kohët e fundit u takua me një familje të sapoardhur siriane në periferi të Uashingtonit.

Ihsan Marwan Al Hazzouri së bashku me familjen dhe prindërit e tij shkoi në Damask në vitin 2012, kur forcat siriane filluan të bënin arrestime masive në qytetin e Homsit.

"Kisha frikë se mos familja ime, bashkëshortja dhe fëmijët pësonin gjë".

Në Damask, ai ishte kërcënuar nga shërbimet siriane të sigurisë. Si rezultat, familja e tij udhëtoi me kamion dhe më pas në këmbë drejt kufirit me Jordaninë.

"Isha i frikësuar, nuk isha i sigurt se do t’ia dilnim sepse kishte një prani të madhe të forcave të sigurisë dhe ushtrisë në të gjithë zonën. Sapo arritëm në Jordani, u ndjeva i sigurt sepse qeveria jordaneze na pranoi si refugjatë."

Familja Al Hazzouri ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara ndërkohë që është intensifikuar debati mbi emigracionin dhe sigurinë.

Kandidati republikan për president, Donald Trump thotë se refugjatët sirianë janë kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe nëse ai i fiton zgjedhjet, ata do të riatdhesohen.

"Mijëra njerëz po vijnë nga Siria si emigrantë. Ne nuk e kemi idenë se kush janë ata, nga cilat rajone janë, nuk ka asnjë dokumentacion. Ata do të kthehen në shtëpi nëse unë bëhem president. Duhet ta bëjmë këtë."

Aerlande Wontamo, e cila punon me shërbimin social Luteran në rajonin e kryeqytetit amerikan thotë se ne e dimë se kush janë këta njerëz. Ajo ka ndihmuar në sistemimin e mijëra refugjatëve, duke përfshirë familjen Al Hazzouri.

"Të gjithë klientët tanë kalojnë nëpër një sistem të rreptë të sigurisë, kontrolle mjekësore, dhe intervista kështu që sigurisht që ky është një proces i gjatë dhe rigoroz."

Ihsan Marwan thotë se familja e tij i është nënshtruar një procesi dy-vjeçar të shqyrtimit. Ai u intervistua disa herë nga zyrtarë të OKB-së dhe ata të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.

Familja e tij nuk zgjodhi vendin se ku ata do të shkonin. Kur u vendos që do të dërgoheshin në Amerikë, një zyrtar amerikan i sigurisë e intervistoi atë në lidhje me jetën e tij që nga fëmijëria deri në kohën kur ai kishte mbërritur në Jordani.

Pjesa më e vështirë e procesit ishte lënia e prindërve në Aman.

"Në fillim isha i befasuar që u përzgjodha të vija në Amerikë. Kurrë nuk kisha në ndërmend të bëhesha refugjat dhe të vija në Shtetet e Bashkuara."

Brenda dy muajve, Ihsan Marwan gjeti punë në një kopshtari. Tani për tani, objektivat e tij janë themelore, të punojë shumë që të blejë një shtëpi më të madhe dhe të sjellë prindërit në Amerikë. Dhe që fëmijët e tij të marrin një arsimim të mirë, mundësi që nuk e kishte më parë.

XS
SM
MD
LG