Agjensitë amerikane të lajmeve po njoftojnë fitoren e Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, mbas zgjedhjeve të së martës. Marrja e kontrollit të kësaj Dhome nga republikanët, paraqet një sfidë serioze për axhendën legjislative të Presidentit Obama.
Republikanët dhe lëvizja konservatore Tea Party, shpallën që herët disa nga fituesit e këtyre zgjedhjeve. Fitues të vendeve në senat nga lëvizja Tea Perty janë Rand Paul i shtetit Kentaki dhe Mark Rubio i Floridës. Republikantë kanë fituar dhe tre vende të tjera në Senat të mbajtura nga demokratët - në Arkansas, Indiana dhe Dakotën e Veriut.
Gjithsesi, nuk pritet që republikanët të arrijnë numrin e duhur për të marrë kontrollin e Senatit.
Sondazhet treguan se ekonomia ishte çështja kryesore që ishte shqetësim për votuesit. Papunësia thuajse në shifrën e 10%, dhe shqetësimi serioz për situatën ekonomike në vend, kanë qenë arsyet që ndihmuan në rigjallërimin e republikanëve.
Gara u zhvillua për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 37 nga 100 vendet e Senatit amerikan.