Lidhje

SHBA: Rezerva Federale nuk ndryshon kursin e politikës monetare


Në Shtetet e Bashkuara, Rezerva Federale nuk po e ndryshon kursin e politikës monetare, duke i lënë normat e interesit në nivele historikisht të ulëta. Kjo, pavarësisht nga përmirësimi i gjendjes ekonomike në vend dhe në botë.

Çmimet e benzinës janë në rritje, por kjo nuk duket se po i ngadalëson konsumatorët. Shitjet me pakicë u rritën në shkurt me ritmin më të lartë në pesë muaj – për shkak të kërkesës për automobila.

"Kjo tregon se konsumatorët nuk kanë frikë të shpenzojnë, thotë Susanne O'Halloran e televizionit Bloomberg”.

Rimëkëmbja e tregut amerikan të punës dhe paketa e dytë e shpëtimit për Greqinë e kanë rritur besimin e investitorëve, duke bërë që të rriten edhe çmimet e aksioneve në Wall Street për ditën e pestë me radhë.

Por edhe pse frika e falimentimit të Greqisë është zbehur, analisti gjerman i tregut, Robert Halver, thotë se investitorët janë tashmë të shqetësuar për një tjetër rrezik që mund të kërcënojë Eurozonën.

"Tani kemi një tjetër problem në Eurozonë. Spanja. Ky vend duhet të bëjë reforma ekonomike, duhet patjetër të reformojë tregun e punës, të cilit i mungon fleksibiliteti".

Vitin e kaluar, Spanja nuk e realizoi objektivin për uljen e deficitit dhe nuk ka gjasa ta realizojë as këtë vit.

Ajo ka një ekonomi katër herë më të madhe se Greqia, prandaj ekspertët thonë se nuk bëhet fjalë për një paketë financiare shpëtimi.

Për dy ekonomitë më të mëdha të botës mund të kenë shpërthyer një luftë e re tregtare.

Dje, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar BE-së dhe Japonisë për të kundërshtuar kufizimet e Kinës në ekportet e saj të mineraleve të rralla që janë vendimtare për prodhimet elektronike.

"Administrata jonë do ta ngrejë këtë çështje kundër Kinës. Ne do të vazhdojmë të punojmë çdo ditë që punëtorët dhe bizneset amerikane të trajtohen drejt në ekonominë globale".

Ndërkohë, Pekini vazhdon të përballet me efektet e frenimit ekonomik.

Kina kohët e fundit arriti deficitin më të madh tregtar në 10 vjet, dhe kjo e ka detyruar bankën e saj qendrore ta ngadalësojë vlerësimin e monedhës kineze. Juani është rritur 30 për qind kundrejt dollarit amerikan që nga viti 2005, por Shtetet e Bashkuara besojnë se juani vazhdon të jetë nën vlerën reale duke i dhënë Kinës një avantazh konkurrues në çmimet e eksportit.

XS
SM
MD
LG