Lidhje

SHBA, rihapet debati mbi të drejtën e amerikanëve për armëmbajtje

  • Zëri Amerikës

SHBA, rihapet debati mbi të drejtën e amerikanëve për armëmbajtje

SHBA, rihapet debati mbi të drejtën e amerikanëve për armëmbajtje

Vrasja e gjashtë personave dhe përpjekja për të vrarë anëtaren e Kongresit Gabrielë Gifords në Tuson të Arizonës të shtunën e kaluar ka rihapur debatin në gjithë Shtetet e Bashkuara lidhur me të drejtën e amerikanëve për armëmbajtje. Por për shumë njerëz në Arizona nuk është problem që ligjet janë ndër më pak kufizueset në vend.

Pushkët dhe pistoletat janë pjesë e zakonshme e jetës për Shon Duellin dhe djemtë e tij.

“Ne kryesisht i kemi armët për gjueti dhe për të siguruar ushqim për fëmijët tanë. Po ashtu ne na pëlqen të bëjmë qitje”.

Duellët jetojnë në rrethinat e shkretëtirës në Tuson, por krimet janë ende problem. Shon Duell mban një armë dore gjysëm automatike në një kuti të sigurt në dhomën e tij të gjumit.

“Kryesisht është për mbrojtje personale dhe shpresoj që kurrë të mos më duhet ta përdor, por është më mirë ta kem se sa të jem pa të”.

Ngjarja në Tuson e ka përqendruar vëmendjen tek ligjet liberale për armëmbajtje në Arizonë. Kritikët thonë se këto ligje e bënë të lehtë për autorin e akuzuar të vrasjeve Xhered Lofner që të blejë një armë. Xhonathan Loui është me Qendrën Brady për të parandaluar dhunën me armë në Uashington. Ai fajëson një ndryshim kohët e fundit në ligjet e Arizonës për armëmbajtje.

“Tani ata lejojnë këdo që të mbajë një armë të fshehur pa pasur nevojë për leje”.

Zoti Loui thotë gjithashtu se ligji federal duhet të ndalojë shitjen e armëve të sulmit dhe karikatorëve që mbajnë që mbajnë shumë fishekë, si ajo që u përdor nga autori i ngjarjes në Tuson që kishte rreth 30 plumba.

“Nëse ai nuk do të kishte pasur mundësi të blente një karikator të tillë, që absolutisht duhet të jenë të ndaluar, ndoshta viktimat do të kishin qenë shumë të pakta”.

Por Shoqata Kombëtare e Armëve, një grup i fuqishëm për mbrojtjen e armëmbajtjes ka qenë e susksesshme në parandalimin e kufizimeve të tilla në Uashington. Edhe përfaqësuesja e Kongresit Gifords ka një pistoletë Glock si ajo që u përdor për të hapur zjarr ndaj saj. Çarls Heller, drejtuesi i një emisioni në radio dhe sekretar i Lidhjes për Mbrojtjen e Qytetarëve të Arizonës, një grup pro armëmbajtjes thotë se politikanët në këtë shtet në përgjithësi i mbrojnë të drejtën për armëmbajtje.

“Ka pasur disa njerëz që me forcë e kanë kundërshtuar të drejtën për armëmbajtje në Arizonë por në përgjithësi, çdo politikan e kupton se nëse nuk e mbështet të drejtën për armëmbajtje, nuk ka shumë shans që të zgjidhet”.

Heller thotë se banorët e Arizonës kanë një traditë të gjatë të armëmbajtjes dhe nuk i druhen pamjes së një arme në publik.

“Që nga ditët para se Arizona të bëhej shtet, që nga ditët e luftës për territor dhe madje edhe më parë, armëmbajtja ka qenë normale, e zakonshme dhe nuk është aspak e pazakontë që të shohësh ditë që ecën në rrugë duke mbajtur armë”.

Por jo gjithkush bie dakord me këtë pikëpamje.

Xhonathan Loui i qendrës Brady thotë armëmbajtësit e përgjegjshëm nuk do të prekeshin nga ligjet që kanë si synim mbajtjen e armëve larg duarve të kriminelëve dhe atyre me mendje të paqëndrueshme.

“Debati nuk është pro-armëve apo kundër armëve, por shtron pyetjen nëse armët duhet të jenë në duart e njerëzve të rrezikshëm apo jo”.

Por persona që kanë armë si Shon Duell mendojnë se incidentet e rralla ku dikush e keqpërdor një armë nuk duhet të çojnë në kufizime të së drejtës së tyre.

“Mendoj se shumica e atyre që mbajnë armë janë jashtëzakonisht kompetentë, të parrezikshëm dhe i përdorin me maturi armët e tyre të zjarrit dhe unë nuk kam asnjë shqetësim”.

XS
SM
MD
LG