Lidhje

Romët në Shtetet e Bashkuara mendojnë se u bëhen padrejtësi


Romët në Shtetet e Bashkuara mendojnë se u bëhen padrejtësi

Romët në Shtetet e Bashkuara mendojnë se u bëhen padrejtësi

Në Shtetet e Bashkuara, romët shpesh shihen si një popullatë me një kulturë të largët, madje ekzotike. Historikisht romët e kanë pasur të lehtë të integrohen në shoqërinë amerikane, ndërkohë që kanë ruajtur traditat e tyre. Por kjo është shoqëruar me pasoja. Në pjesën e dytë të serisë rreth jetës së romëve në Shtetet e Bashkuara, do t’ju sjellim hollësi rreth padrejtësive që disa romë kanë përjetuar kur janë përpjekur të bëjnë punë tradicionale.

Gene dhe Aaron Williams janë kushërinj. Ata punojnë si kontraktues në biznesin e shtrimit të rrugëve. Zyrat i kanë në shtetin e Texasit, por punojnë edhe në pjesë të tjera të Amerikës. Ata janë romë dhe thonë se shpesh janë diskriminuar për shkak të etnisë të tyre. Gene ka ruajtuar të regjistruar një reklamë të transmetuar në një radio lokale nga një konkurrent biznesi në vitin 2008.

“Kini kujdes nga ciganët që vërtiten nëpër qytet. Ata ju marrin paratë dhe ikin”.

Aaron Williams thotë se prej më shumë se 30 vjetësh ai ka qënë një kontraktor i ndershëm. Por reklama të tilla janë shkaku se pse ai nuk u tregon kurrë klientëve se është rom.

“Do të ishte njësoj sikur t’u thosha njerzve se jam një djall i mirë ose i keq. Njerzit nuk mendojnë se ciganët ekzistojnë. Ata mendojnë se të jesh cigan është një formë të jetuari, se ne duam të jemi hajdutë dhe si pasojë na duhet të lëvizim nga një vend në tjetrin. Kjo nuk është e vërtetë. Është në kulturën tonë që ne të lëvizim”.

Edhe kineasti rom George Eli mendon se romët vihen në shënjestër, veçanërisht nga forcat e rendit ... madje ai ka realizuar një dokumentar rreth përvojës së tij si rom në Shtetet e Bashkuara. Ai thotë se shumica e grave në familjen e tij janë fallxhore dhe njëra prej tyre u mërzit shumë kur ai u përpoq ta filmojë.

“E pyeta se pse u tregua aq e pakënaqur. Çfarë e bëri atë të kundërshtonte. Unë e dija se ajo nuk kishte bërë asgjë të keqe. I thashë se ne jemi romë dhe i kërkova të më shpjegonte arsyen. A e di se ç’më tha? ‘Ti je i çmëndur, më tha. Do të na bësh të përfundojmë të gjithë në burg!’”

John Grow ka qenë polic në qytetin e Baltimorës. Ai kryeson një organizatë, që trajnon njerëzit e rendit se si të luftojnë skemat e vjedhjes, pra kur dikush përpiqet të të mashtrojë e pastaj të të marrë paratë. Zoti Grow thotë se organizata e tij nuk vë në shënjestër romët, por sidoqoftë të dyshuarit për krime të tilla janë shpesh romë.

“Focusi ynë është te krimet dhe hajdutët, që i bëjnë këto. Në disa prej këtyre rasteve, sidomos me njerëz që merren me fall apo manipulojnë me riparimet shtëpiake, të dyshuarit ndodh që janë ciganë”.

Por Aaron Williams mendon se shpesh policia nuk tregohet e drejtë.

“Policët nuk na trajtojnë si duhet, veprojnë ndaj nesh pa kriter. Ne shikojmë punën tonë, në fakt ne i shërbejmë komunitetit, por trajtimi ndaj nesh ka motive raciste”.

Zoti Grow bën trajnime për forcat e rendit në të gjithë vendin. Ato nuk janë të hapura për median, por në lajmërimin për një trajnim për shembull, thuhet se qëllimi është që të pranishmit të njihen me mentalitetin e atyre që kryejnë krime të tipit “cigan”.

“Bëhet fjalë për një shoqëri të veçuar ... ajo ka evoluar me kalimin e viteve, duke iu përshtatur vazhdimisht kushteve aktuale. Ata kanë rregullat e tyre. Ata respektojnë rregullat e tyre, por jo tonat. Ligjet tona thjesht nuk u përshtaten sa duhet atyre”.

Por profesori i Universitetit të Texasit, Ian Hancock thotë se nuk ka krime që të kryhen nga romët por jo nga popullsi të tjera. Ai thotë se zanate të tilla si të qenët fallxhor apo punëtor endacak mund të shpjegohen me vetë historinë e romëve. Nga fundi i shekullit të 13-të, romët imigruan në Evropë nga India, ku profesor Hancock thotë se zanati i fallxhorit ishte prestigjoz. Deri në vitet 1500, shumë prej tyre erdhën si skllevër në Rumani. Popullata të tjera rome lëviznin vazhdimisht si pasojë e formave të ndryshme të diskriminimit.

“Në një botë, ku atyre u duhej të lëviznin vazhdimisht dhe të linin pas çdo gjë, ata nuk mund të merrnin me vete çdo gjë materiale”.

Aaron Williams thotë se është krenar për trashëgiminë e tij rome dhe produktet e punës së tij. Por atë e zemëron trajtimi që i bëhet e që ai mendon se nuk do të pranohej nga grupe të tjera.

“Ne nuk jemi qënie të huaja. Ne kemi lindur diku në këtë planet dhe mendoj se duhet të kemi të drejtën të jetojmë këtu”.

Disa të rinj romë në Shtetet e Bashkuara janë integruar më mirë në shoqërinë amerikane se sa prindërit e tyre.

XS
SM
MD
LG