Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Zgjedhja e Rowhanit, sinjal pozitiv

  • Michael Bowman

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë po i bën thirrje presidentit të ardhshëm të Iranit të zgjedhë një rrugë të re për vendin e tij. Shefi i Stafit të Shtëpisë së Bardhë Denis McDonough tha se iranianët meritojnë të përgëzohen për pjesëmarrjen masive në zgjedhjet presidenciale të së premtes, në të cilat kleriku i moderuar Hasan Rowhani doli fitues. Në komentet gjatë një interviste në emisionin Face the Nation në rrjetin CBS, zoti McDonough e cilësoi rezultatin si “një sinjal me potenciale pozitive”.

“Nëse janë të vërteta ato që ka thënë gjatë fushatës se është i interesuar në riparimin e marrëdhënieve me komunitetin global, tani ka shansin ta bëjë një gjë të tillë. Nëse përmbush detyrimet e tij në bazë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ndriçuar aktivitetin bërthamor, ai do të gjejë në Shtetet e Bashkuara një partner”.

Zoti McDonough tha se një ndryshim i tillë do ta vinte Iranin në rrugën e një të ardhmjeje më të ndritur, siç e meriton populli iranian.

Senatori republikan Marc Rubio ishte më i rezervuar, në komentet për emisionin This Week të rrjetit ABC:

“Në fund të fundit, Udhëheqësi Suprem është ai që merr vendimet përfundimtare në Iran. Përsëri mbetet i njëjti Udhëheqës Suprem, i cili e ka futur Iranin në këtë rrugë të rrezikshme”.

Presidenti i ardhshëm Rowhani mori pak më shumë se 50 për qind të votave nga 37 milionë vota që janë numëruar. Në një fjalim televiziv ai u bëri thirrje iranianëve ta ndihmojnë të ruajë krenarinë kombëtare dhe interesat e kombit. Ai do të pasojë Presidentin Mahmud Ahmadinexhad.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG