Lidhje

DASH, takim mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë


Departamenti amerikan i Shtetit tha se Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel do të takohen me homologët e tyre rusë të premten në Uashington.

Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit tha se bisedimet me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov dhe Ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu do të përfshijnë diskutimet mbi Sirinë, Afganistanin, Iranin dhe traktatin e ri të armëve START.

Zëvendësministri i jashtëm rus Sergei Ryabkov i ka thënë gazetës New York Times se Kremlini pret diskutime shumë intensive. Ai tha se ka mjaft tema "të mprehta, të debatueshme, dhe të vështira" me të cilat përballen të dy vendet.

Uashingtoni ka thënë se po rishqyrton pjesëmarrjen në takimin e planifikuar të muajit të ardhshëm në Moskë midis presidentëve Barack Obama dhe Vladimir Putin.

Të hënën në emisionin The Tonight Show të rrjetit televiziv NBC, presidenti Obama tha se ka raste kur Rusia kthehet në të menduarit e Luftës së Ftohtë. Ai tha se ai vazhdon t’ia kujtojë zotit Putin se ai është duke jetuar në të kaluarën.

Shtetet e Bashkuara janë të zemëruara nga vendimi i Rusisë për t’i dhënë azil të përkohshëm ish-kontraktorit të Agjencisë Kombëtare të Sigurimit Edward Snowden, i cili kërkohet për rrjedhjen e informacionit rreth programeve sekrete amerikane të përgjimit të telefonave dhe internetit.

Presidenti Obama e ka quajtur programin qeveritar të survejimit "një komponentë kritik të antiterrorizmit."
XS
SM
MD
LG