Lidhje

SHBA: Qëndrimi i Rusisë dhe Kinës për Sirinë, i patolerueshëm


Hillary Clinton
Hillary Clinton
Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton thotë se është “e patolerueshme” që Rusia dhe Kina të vazhdojnë të bllokojnë një zgjidhje paqësore për krizën e Sirisë duke mbështetur Presidentin Bashar al-Assad. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns, Sekretarja Clinton tha në një takim në Paris me pjesëmarrjen e qeverive, që mbështesin kundërshtarët e Assadit, se Kombet e Bashkuara duhet të imponojnë sanksione ekonomike kundër Damaskut.

Sekretarja Clinton thotë se nuk është e mjaftueshme që vendet që formojnë Miqtë e Popullit Sirian të mbështesin kundërshtarët kur Rusia dhe Kina pengojnë përparimin.

“Duhet të komunikoni me Rusinë dhe Kinën dhe jo vetëm t’i nxisni por t’u kërkoni që të mos qëndrojnë më passive dhe të fillojnë të mbështesin aspiratat legjitime të popullit sirian. Nuk është e mjaftueshme që thjesht të merret pjesë në këto takime, sepse po ju them hapur, nuk mendoj se Rusia dhe Kina besojnë se mund të jenë duke paguar ndonjë çmim për qëndrimin e tyre në mbështetje të regjimit të Assadit”.

Rusia dhe Kina kanë vënë vazhdimisht veton për të penguar masa më të rrepta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër Sirisë. Por ato kanë rënë dakord me autoritetin e një organizmi qeverisës tranzicioni për vendin, diçka që Sekretarja Clinton thotë se duhet të jetë pjesë e një rezolute të re që parashikon zbatimin e një plani paqeje të OKB-së dhe Lidhjes Arabe.

“Ata kanë thënë vetë se mbështesin tranzicionin. Ne duhet t’u kërkojmë tani një rezolute në Këshillin e Sigurimit që imponon pasoja reale dhe të menjëherëshme për mosbindje, përfshirë sanksione”.

Zyrtarë të lartë amerikanë, që udhëtojnë me Sekretaren Clinton thonë se rezoluta nuk do të përfshijë angazhimin e trupave të OKB-së, por do të përqendrohet tek sanksionet ekonomike ndërkombëtare. Entuziazmi i mëparshëm për embargon e armëve po venitet mes pikëpyetjeve për respektimin e një mase të tillë nga Rusia dhe Irani si edhe shqetësimeve për pasojat e mundshme tek opozita e armatosur.

Rusia dhe Kina nuk marrin pjesë në bisedimet e Parisit që përfshijnë përfaqësues nga afro 100 vende, përfshirë rreth 40 ministra të jashtëm. Që kur Rusia dhe Kina ranë dakord për një qeveri tranzicioni në një takim në Gjenevë javën e kaluar, ka pasur interpretime kundërthënëse nëse marrëveshja do të thotë që Presidenti Assad duhet të dorëzojë pushtetin.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov thotë se marrëveshja e Gjenevës nuk i imponon asgjë popullit sirian, pasi nuk vë parakushte për dialogun kombëtar dhe nuk përjashton askënd nga procesi. Duke folur në Paris sot, Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu tha se Presidenti Assad dhe disa nga vendet që u mblodhën në Gjenevë po e keqinterpretojnë të ardhmen e tij.

“Tranzicioni nënkupton ndryshim. Pse duhet një qeveri tranzicioni? Sepse qeveria ekzistuese nuk është legjitime, nuk është eficente për të kontrolluar vendin dhe për të udhëhequr një proces tranzicioni”.

Zoti Davutoglu thotë se zvarritja e procesit rrit rrezikun dhe lejon qeverinë e Assadit të vrasë më shumë njerëz. Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se një million sirianë kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare. Duke lexuar një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, ndihmës sekretari i Përgjithshëm për çështjet politike Oscar Fernandez-Taranco thotë se konflikti sirian është në një fazë kritike.

“Vrasjet dhe rrëmbimet po ndodhin gjithnjë e më shumë mes komuniteteve të ndryshme dhe kërcënojnë të gërryejnë pëlhurën e shoqërisë siriane. Një luftë civile sektare do të ishte shkatërruese për Sirinë dhe rajonin”.

Kreu i misionit humanitar të OKB-së në Siri, general-major Robert Mood thotë se dhuna ka arritur nivele të pashembullta dhe duhet të vendoset një armëpushim në mënyrë që vëzhguesit e paarmatosur të rifillojnë misionin e tyre.
XS
SM
MD
LG