Lidhje

Marrëdhëniet SHBA-Rusi dhe zgjedhjet presidenciale

  • Andre Nesnera

Si rezultat i zgjedhjeve, ekspertët thonë se ka shumë paqartësi në marrëdhëniet mes dy vendeve

Rusia tani ka një president të ri, ish kryeministrin Vladimir Putin i cili disa javë më parë mori detyrën në vend të presidentit Dmitri Medvedev, i cili tani është kryeministër i vendit. Shtetet e Bashkuara janë në mes një fushate presidenciale midis presidentit të tanishëm Barack Obama dhe ish guvernatorit të shtetit Masaçusets Mit Romney, i cili pritet të marrë emërimin e Partisë Republikane. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i bën një analizë marrdhënieve SHBA-Rusi nga këndvështrimi i zgjedhjeve presidenciale në të dy vendet.

Shumë ekspertë, përfshirë analistin Robert Legvold nga Universiteti i Kolumbias në Nju Jork thonë se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë në një moment pritjeje.

“Ka shumë paqartësi, pjesërisht për shkak të pasigurive rreth zhvillimeve politike në Shtetet e Bashkuara. Ky është një vit zgjedhjesh dhe nuk është e qartë se kush do të fitojë. Zgjedhjet kanë ndikim të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve. Dhe kthimi i zotit Putin në pushtet, i cili ka një imazh negativ në Perëndim, Shtetete e Bashkuara dhe në mediat përëndimore, krijon më shumë paqartësi”.

Gjatë fushatës presidenciale në Rusi, zoti Putin ka përdorur një retorikë anti-amerikane, taktikë e cila ka funksionuar për të në të kaluarën. Por zoti Legvold thotë se retorika të tilla kanë pasoja negative.

“Kjo bën jehonë në mjedisin tonë politik, dhe përforcon përshtypjen se rusët janë anti-amerikanë, se zoti Putin është anti-amerikan, dhe se ai nuk është i gatshëm të sillet në mënyrë konstruktive. Nëse kjo është kryesisht për qëllime zgjedhore, është një veprim jo largpamës, sepse ata do të paguajnë një çmim ose ne të gjithë do të paguajmë një çmim për këtë”.

Stephen Cohen, profesor në Universitin Princeton, thotë se edhe në fushatën presidenciale në Shtetet e Bashkuara ka pasur retorikë anti-ruse.

“Deklarat e Mitt Romnit se Rusia tani është “armiku gjeopolitik numër një i Amerikës”, janë larg nga e vërteta dhe në Moskë janë marrë si deklara serioze. Kjo mund të jap përshtypjen se nga amerikanët do të vijnë vetëm të gjëra të këqija, se ata nuk do të jenë partnerët tanë, nuk do të respektojnë marrëveshjet e tyre, nuk do të bëjnë lëshime. Kjo nuk do ta ndihmojë situatën ndërkohë që zoti Putin kthehet në pushtet. Ai mund të pyes: “Romney bëri këtë deklarat dhe ai nuk është president. Por, a janë këto pikëpamje të vetë presidentit”?

Analistët thonë se duke bërë deklarata të tilla, politikanët e vijës së ashpër në Shtetete e Bashkuara në mënyrë të pashmangshme forcojnë radikalët në Rusi, dhe anasjelltas.

Presidenti Obama e ka bërë përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën gur themel të politikës së tij të jashtme. Marrëdhëniet me presidentin e mëparshëm rus Dmitri Medvedev dhe kryeministrin Vladimir Putin sollën nënshkrimin e një marrëveshje të madhe të kontrollit të armëve dhe kanë rritur bashkëpunimin mes dy vendeve në çështjet si Afganistani dhe Irani.

Por, pavarësisht deklaratave të ashpra të zotit Putin, gjatë fushatës presidenciale në Rusi, Robert Legvold thotë se administrata e presidentit Obama pret vazhdimësi në politikën e jashtme të Rusisë.

“Ata presin vazhdimësi të politikës së jashtme ruse sepse besojnë se gati çdo gjë që është nënshkruar gjatë periudhës se presidentit Medvedev është mbështetur nga zoti Vladimir Putin. Ata janë të bindur se zoti Medvedev gjatë mandatit të tij nuk kishte vepruar i vetëm, ose në kundërshtim me zotin Putin. Për shembull, në çështjet si nënshkrimi i marrëveshjes së re për kontrollin e armëve, START, hapja e rrugës tranzit për në Afganistan, ndryshimi i politikës së Rusisë mbi sanksionet e OKB-së ndaj Iranit, supozohet se zoti Putin u pyet”.

Analistët besojnë se një gjë është e sigurt, se marrëdhëniet SHBA-Rusi kanë shënuar rritje me kalimin e viteve deri në atë masë sa kthimi në një periudhë të mbushur me tensione si ato të Luftës së Ftohtë është praktikisht i pamundur.
XS
SM
MD
LG