Lidhje

Marrëdhëniet ruso-amerikane


Presidenti Barack Obama e ka trajtuar përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë si një ndër objektivat qendrore të politikës së tij të jashtme. Korrespondenti Andre de Nesnera njofton nga Uashingtoni mbi disa nga sukseset dhe disa mosmarrëveshje që vazhdojnë të shoqërojnë marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës:

Gjatë katër vjetëve të fundit, synimi për një fillim të ri në marrëdhëniet ruso-amerikane solli rezultate konkrete, përfshirë një traktat të rëndësishëm për kufizimin e armëve strategjike, me qëllim për të pakësuar numrin e armëve bërthamore me rreze të gjatë veprimi.
Robert Legvold i Universitetit Columbia thotë se një tjetër sinjal i bashkëpunimit më të ngushtë mes dy vendeve ishte vendimi i Moskës për t’u lejuar forcave amerikane lëvizje tranzit përmes Rusisë për operacionet në Afganistan:

“Në përpjekje për të vazhduar operacionet në Afganistan gjatë viteve dhe tani për të reduktuar dhe tërhequr trupat, këto rrugë tranzit janë shumë të rëndësishme”.

Moska ka rënë gjithashtu dakord t’u lejojë Shteteve të Bashkuara të përdorin bazën ushtarake ruse në Ulyanovsk rreth 300 km në veriperëndim të kufirit me Kazakistanin. Analistët thonë se kjo bazë do të luajë një rol të rëndësishëm ndërkohë që forcat luftarake amerikane reduktojnë praninë e tyre në Afganistan gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Në tema të tjera, analistët thonë se Moska ka forcuar qëndrimin e saj ndaj Iranit, duke votuar në OKB për sanksione më të rënda ndaj Teheranit lidhur me programin e tij bërthamor. Moska ka pezulluar gjithashtu furnizimin e Teheranit me raketa anti-ajrore të tipit S-300.

Stephen Jones i Kolegjit Mount Holyoke në Masaçusets thotë se Moska kërkon të gjejë zgjidhje në çështjen e Iranit, pasi i druhet një situate të paqëndrueshme në kufirin ruso-iranian:

“Kohët e fundit Ministria e Jashme ka nxjerrë një deklaratë ku mbështet negociata dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Kjo është e rëndësishme. Rusët duan gjetjen e një zgjidhjeje, edhe nëse nuk janë vetë pjesë e negociatave”.

Analistët thonë se megjithë zhvillimet positive në kontrollin e armëve, si dhe në drejtim të Afganistanit dhe Iranit, Uashingtoni dhe Moska mbeten të ndara në një numër çështjesh. Në krye të listës është reagimi ndaj krizës në Siri.

Administrata Obama ka bërë thirrje për dorëheqjen e Presidentit Bashar al-Asad. Moska është kundër dhe u ka vënë veton rezolutave në Këshillin e Sigurimit për Sirinë, përfshirë edhe rezolutave për sanksione ekonomike ndaj Damaskut. Stephen Jones thotë se Moska mund të ushtrojë presion ndaj Presidentit Assad:

“Nuk duket se Moska është e interesuar të ushtrojë influencën e saj. Rusia nuk dëshiron që të ketë ndryshim regjimi në Siri, pasi ka shumë të ngjarë që personi që mund të zëvendësojë Assadin të jetë përfaqësues i opozitës, që ka qëndrim armëqësor ndaj Rusisë. Siria është kliente shumë e mirë për armët ruse. Ndryshimet në Siri do të ishin me pasoja negative për Rusinë, prandaj nuk duan që Asadi të humbasë pushtetin”.

Një tjetër pikë fërkimesh është plani i administratës për të vendosur një sistem për mbrojtjen nga raketat balistike në Evropë, një propozim që mbështetet nga NATO. Uashingtoni dhe aleatët e tij thonë se sistemi synon të mbrojë Evropën nga goditje të vendeve si Irani. Moska thotë se raketat mund të përdoren për të neutralizuar arsenalin e saj të raketave strategjike, duke e bërë Rusinë të dobët para Perëndimit. Robert Legvold i Universitetit Columbia shpjegon:

“Rusët kanë tendencën ta ekzagjerojnë situatën duke e prezantuar si skenar i përpjekjeve amerikane dhe të NATO-s për të dëmtuar aftësitë anti-bërthamore të Rusisë. Nuk mendoj se Amerika dhe NATO kanë këto synime. Problemi qëndron në faktin se është e vështirë t’i bindësh rusët”.

Analistët thonë se do të jetë interesante të shihet nëse gjatë mandatit të dytë të Presidentit Obama do t’u kushtohet po aq energji marrëdhënieve ruso-amerikane, si gjatë mandatit të parë. Ekspertët thonë se për momentin Presidenti është i preokupuar me krizën në Lindjen e Mesme si dhe problemet fiskale në vend dhe, si rezultat, marrëdhëniet me Moskën nuk janë një përparësi kryesore.
XS
SM
MD
LG