Lidhje

Presidenti Barak Obama ka thënë se përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë do të jenë në thelb të politikës së jashtme të administrates së tij. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Washington Andre de Nesnera, marrëdhëniet mes të dy vendeve duket se kanë ardhur duke u përkeqësuar.

Politika e jashtme gjatë mandatit të parë të administratës së Presidentit Barak Obama u mbizotërua nga e ashtuquajtura “rivendosje” e marrëdhënieve, një politikë që synonte përmirësimin e lidhjeve mes Washingtonit dhe Moskës, të cilat arritën në një nivel të ulët gjatë viteve të fundit të administratës së Presidentit George W. Bush.

“Rivendosja” solli në fakt rezultate konkrete, si një traktat me rëndësi strategjike për armët, duke pakësuar numrin e armëve me rreze të gjatë veprimi nga të dyja palët. Moska po ashtu lejoi forcat amerikane të kalojnë përmes Rusisë për në Afganistan.

Rusia gjithashtu votoi në Kombet e Bashkuara për vendosjen e sanksioneve më të ashpëra ndaj Iranit, lidhur me programin bërthamor që mendohet se ka ai vend.

Por analistët thonë se marrëdhëniet mes të dy vendeve po përkeqësohen përsëri. Eksperti për Rusinë, Stephen Jones, në kolegjin Mount Holyoke të Massachusettsit, thotë:

“Eshtë e qartë se marrëdhëniet mes të dy vendeve janë të acaruara momentalisht dhe mendoj se kjo është e qartë që ka të bëjë me mandatin e tretë presidencial të Vladimir Putinit.”

Vladimir Putin u zgjodh president majin e kaluar, duke zëvendësuar Dmitri Medvedevin, i cili nuk kandidoi për postin, por ai është aktualisht kryeministër i Rusisë.

Rachel Denber, e organizatës “Human Rights Watch”, thotë se zoti Putin ka zbatuar masat shtypëse më të ashpëra politike që nga periudha sovjetike.

“Gjatë 21 vjetëve që jam duke ndjekur të drejtat e njeriut në Rusi, nuk kam parë kurrë një orkestrim të tillë të masave shtypëse ndaj gjithë shoqërisë civile.”

Parlamenti rus, i mbizotëruar nga partia Rusia e Bashkuara pro-Putinit, ka miratuar një numër ligjesh që janë në shkelje të të drejtave të njeriut. Zonja Denber thotë se mes këtyre masave janë kufizimi i demonstratave, zgjerimi i përkufizimit të tradhëtisë, shtimi i kufizimeve ndaj internetit dhe ligje që forcojnë kontrollin ndaj organizatave jo-qeveritare.

Qeveria ruse po ashtu dëboi USAID-in, një organizatë që ka ndihmuar për financimin e disa prej organizatave të njohura të shoqërisë civile në Rusi, si ajo Golos, i vetmi grup i pavarur për numërimin e votave në Moskë, si dhe ajo Memorial, një nga grupet kryesore të të drejtave të njeriut në vend.

Në Shtetet e Bashkuara, Kongresi miratoi të ashtuquajturin “Ligji Magnitsky”, që mban emrin e Sergei Magnitsky-it, një jurist i cili vdiq në burg në vitin 2009, pasi u torturua, ngaqë tërhoqi vëmendjen për mashtrimin më të madh me taksa në historinë e Rusisë. Ky ligj vendos kufizime ndaj aktivitetit financiar dhe mohon vizat për në Shtetet e Bashkuara për rusët e implikuar në shkeljen e të drejtave të njeriut. Profesori i Universitetit Columbia, Robert Legvold, thotë se më pas Moska u hakmorr për këtë veprim.

“Rusët e panë këtë si një lloj ndërhyrjeje të huaj, në formën e gjykimit të qytetarëve ruse, ose të akuzave e më pas gjykimit të shtetasve rusë pa gjyq, me argumentin se ata do të marrin vendim se si duhet trajtuar kjo çështje. Atëhere ligjvënësit rusë u hakmorrën, duke miratuar me shumicë dërrmuese votash një ligj, i cili ndalon birësimin e fëmijëve rusë nga amerikanët.”

Në një tjetër shenjë të përkeqsimit të marrëdhënieve dy-palëshe, analistët thonë se rusët braktisën një marrëveshje 10 vjeçare për luftën kundër krimit dhe tregtinë e drogës, ndërkohë që Uashingtoni u tërhoq nga një grup i përbashkët pune për shoqërinë civile.

Shumë ekspertë, mes tyre profesori Legvold, thotë se masat shtypëse të zotit Putin ndaj shoqërisë civile, kanë pasur ndikim negative në marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë.

“Ka patur një sërë hapash, që duket se janë në kundërshtim me çështjet qendrore, si armët bërthamore, përhapja e tyre, Irani, Pranvera Arabe, lufta në Afganistan e të tjera.”

Profesori Legvold thotë se marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë në muajt e ardhshëm janë “të paparashikueshme”. Ai thotë se ato do të varen nga aftësia e të dy vendeve për të shmangur kritikat dhe deklaratat e ndërsjella dhe të përqëndrohen në rivendosjen e marrëdhënieve në drejtimin e duhur.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG