Lidhje

Zhvillimet në Ukrainë dhe politika e jashtme amerikane

  • Meredith Buel

Mobilizimi rus në Gadishullin e Krimesë mund të ketë ndikim madhor mbi politikat e jashtme amerikane lidhur me çështje si programi bërthamor i Iranit, lufta civile në Siri dhe Afganistani. Analistët thonë se NATO duhet të shqyrtojë ndryshime, në përgjigje të lëvizjes së trupave ruse në Ukrainë.

Vladimir Putin po shpalos forcën ushtarake ruse. Forcat e tij ajrore kontrollojnë qiejt. Ushtria e tij rrethon bazat ushtarake dhe kufijtë. Marina ushtarake sundon në porte dhe dete.

Presidenti Putin ka zaptuar Gadishullin e Krimesë, megjithëse Moska thotë se trupat që janë shfaqur janë forca vullnetare lokale. Tensionet janë ndezur.

Sekretari i Shtetit John Kerry shprehet:

"Nuk ka vend në bashkësinë e vendeve për këtë lloj agresioni dhe për masat që kemi vërejtur ditët e fundit në Krime të Ukrainës”.

Tani analistët thonë se kriza në Krime ka të ndikojë në konflikte të tjera si lufta civile në Siri. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë bashkëpunuar për heqjen e armëve kimike siriane, por mbështesin palë të kundërta në konflikt.

Ish-ambasadori amerikan në Irak dhe Turqi James Jeffrey thotë se kriza në Ukrainë do të ketë pasoja:

"Duhet të tregohemi shumë më aktivë shumë më shpejt ose do të përballemi jo vetëm me problemin e aneksimit të Krimesë nga Rusia, por me skenarin kur Rusia, Irani, Hezbollahu dhe Assadi do të shtypin shumicën e popullatës dhe do të shpallin fitore në mes të një rajoni ku kemi shumë aleatë tanë. Kjo do të ishte shqetësuese”.

Analistë të tjerë thonë se Presidenti sirian Bashar al-Assad duhet të shqetësohet ndërkohë që tani Rusia është më e preokupuar me problemet rajonale. Eksperti i Lindjes së Mesme dhe ish-ambasador amerikan në Bahren Adam Ereli shprehet:

"Nëse do të isha në vend të Assadit do të shqetësohesha nëse aleati numër dy pas Iranit, është tani i shpërqëndruar dhe i diskredituar”.

Rusia ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara dhe fuqi botërore lidhur me zhvillimet në Iran lidhur me programin e tij bërthamor.

Mbështetja e Moskës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është kritike për vendosjen e sanksioneve ekonomike, gjë që po e detyron Teheranin të ulet në tryezën e negociatave.

Uashingtoni mbështetet te Rusia për rrugët e transportit të furnizimeve për trupat amerikane në Afganistan.

Kjo është shumë e rëndësishme tani që po afrojnë planet për të tërhequr trupat dhe pajisjet brenda këtij viti.

"Nëse do t’u bënim presion të fortë rusëve, mund të mos pranojnë të bashkëpunojnë. Kjo do të sillte vështirësi dhe kosto të lartë për transportin, por ka rrugë të tjera përmes Azisë Qendrore, përmes Kaukazeve, si dhe përmes Pakistanit ose nga ajri”.

Ekspertët ushtarakë thonë se NATO duhet të reagojë ndaj agresionit rus në Ukrainë. Analisti i çështjeve të sigurisë Jonathan Eyal:

"Pas zhvillimeve në Ukrainë, Natoja nuk ka si i shpëton përgjegjësisë për të dërguar trupa në kufijtë e Polonisë dhe Rumanisë, dy vendet më të mëdha që kanë një vijë kufitare me Ukrainën”.

Uashingtoni ka kërkuar që të gjitha forcat ruse të kthehen në bazat e tyre, që të zhvillohen bisedime të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës dhe që vëzhgues ndërkombëtarë të dërgohen për të garantuar sigurinë e të gjithë ukrainasve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG