Lidhje

Marrëdhëniet tregtare SHBA-Rusi


Congress

Congress

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi me shumicë të madhe, 365 vota pro dhe 43 kundër në favor të normalizimit të marrëdhënieve tregtare me Rusinë. Tani projekt-ligji duhet të merret në shqyrtim nga Senati. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Andre de Nesnera njofton nga Uashingtoni se ligji pëfshin edhe klauzola për të drejtat e njeriut.

Ligji lejon bizneset amerikane të hynë në tregjet e hapura rishtazi në Rusi, si rezultat i anëtarësimit kohët e fundit të Moskës në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Dan Burton, republikan nga Indiana, u tha kolegëve të tij se ky ligj do t’i ndihmojë kompanitë amerikane që kanë qënë në disavantazh ndaj homologeve të tyre në Evropë dhe Azi.

“Që të pranohej në OBT, nga Rusia kërkohej të bënte reforma të ndjeshme, të hapte ekonominë e saj ndaj investimeve ndërkombëtare. Këto reforma përfshinë shkurtime të ndjeshme të tarifave për mallrat dhe prodhimet bujqësore, si dhe një zotim për të paksuar subvencionimin e fermave përgjysmë deri në vitin 2018”.

Për normalizimin e plotë të marrëdhënieve tregtare me Rusinë, Dhoma e Përfaqësuesve duhet të abrogojë amendamentin Xhekson-Venik të vitit 1974. Robert Legvold është ekspert i Rusisë në Universitetin Kolumbia në Nju Jork.

“Amendamenti Xhekson- Venik u miratua gjatë periudhës sovjetike, kur Bashkimi Sovjetik kufizonte dhe në fakt kishte prerë emigrimin e hebrejve. Amendamenti Xhekson- Venik mohon trajtim të preferuar dhe përfitime të tjera ekonomike për sa kohë që vazhdonte ai trajtim”.

Anders Aslund i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare thotë se amendamenti Xhekson- Venik është një relike e Luftës së Ftohtë.

“Ai përqendrohej në Bashkimin Sovjetik që nuk ekziston më. Rusia ka patur një emigracion të lirë që kur është bërë shtet i pavarur. Rusia dhe Izraeli lejojnë tani udhëtime pa viza mes tyre. Prandaj ai nuk i shërben më qëllimit fillestar, për më tepër edhe vendi ndaj të cilit u aplikua nuk eksziston më”.

Por me abrogimin e amendamentit Xhekson- Venik, Dhoma e Përfaqësuesve shtoi klauzola për të drejtat e njeriut në ligjin për tregtinë me Rusinë. Kongresisti Xhim MacGovern, demokrat nga Masaçusets, thotë se masat janë emërtuar siëas juristit rus Sergei Magnitski.

“Ai vdiq më 16 nëntor 2009, pas torturave dhe rrahjeve në burg sepse kishte ekspozuar shpërdorimiet më të mëdha me taksat në historinë e Rusisë. Ai bëri atë që duhej dhe e pagoi me jetë në duart e zyrtarëve të korruptuar rusë”.

Kongresisti Howard Berman, demokrat nga Kalifornia, shpjegon cilat janë kushtet e të drejtave të njeriut.

“Klauzolat Magnitski parashikojnë kufizime për aktivitetet financiare dhe udhëtimet për rusët e lidhur me shkelje të ndryshme të të drejtave të njeriut. Emrat e këtyre shkelësave të të drejtave të njeriut do të publikohen, nëse administrata nuk vendos që ata të futen në lista sekrete”.

Qeveria ruse ka kritikuar ashpër klauzolat Magnitski, duke thënë se do të reagojë në projektligji hyn në fuqi. Megjithatë, ajo nuk tha se cili do të jetë reagimi i saj.

Projektligji do t’i paraqitet tani Senatit për shqyrtim.
XS
SM
MD
LG