Lidhje

SHBA: Sekretari i ri i mbrojtjes dhe sfidat me të cilat përballet ai

  • Meredith Buel

SHBA: Sekretari i ri i mbrojtjes dhe sfidat me të cilat përballet ai

SHBA: Sekretari i ri i mbrojtjes dhe sfidat me të cilat përballet ai

Shtetet e Bashkuara janë një vend në luftë prej gati një dekade dhe ushtria e saj është përballur me sakrifica gjatë kësaj periudhe. Më shumë se 1.500 trupa amerikane janë vrarë në Afganistan dhe lufta është bërë gjithnjë e më jopopullore për publikun amerikan.

Ndërsa një e treta e ushtarëve amerikanë në Afganistan duhet të tërhiqet nga mesi i vitit të ardhshëm, Sekretari i ri i Mbrojtjes, Leon Paneta, thotë se ka ende punë të rëndësishme për të bërë.

"Detyra ime e parë në Pentagon do të jetë për të siguruar se ne do të dalim fitimtarë në konfliktet e tanishme. Në Afganistan, ne duhet të vazhdojmë ta dobësojmë talibanin."

Travis Sharp është analist ushtarak në Qendrën për Sigurinë e re Amerikane. Ai thotë se tërheqja nga Afganistani do të jetë një çështje e rëndësishme me të cilën përballet Paneta. Ai thotë:

"Ne duhet ta bëjmë këtë me mjaft kujdes sepse në qoftë se tërheqja nuk realizohet siç duhet, mund të sakrifikojmë disa nga fitoret që arritëm në Afganistan vitin e kaluar, kryesisht falë trupave që u shtuan nga Presidenti Obama. "

Zoti Paneta vjen në Pentagon pas detyrës si shef i CIA-s, ku ai mbikqyri operacionin që la të vrarë udhëheqësin e al-Kaidës, Osama bin Laden në Pakistan. Paneta ka qenë gjithashtu një mbështetës i fortë i sulmeve me avionë të telekomanduar kundër al-Kaidës dhe talebanëve përgjatë kufirit të Pakistanit me Afganistanin.

"Ne jemi të përfshirë në operacionet më agresive në historinë e CIA-s në atë pjesë të botës dhe rezultati është se ne po e shkatërrojmë udhëheqjen e tyre." - thotë ai

Sulmet e telekomanduar janë shumë jopopullorë në Pakistan dhe marrëdhëniet me Islamabadin do të jenë një tjetër provë e madhe për sekretarin e ri të mbrojtjes.

Analisti Travis Sharp thotë se Paneta do të shërbejë si një ndërmjetës mes Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit.

"Kjo do të jetë e vështirë dhe mendoj se do të ketë pengesa të shumta në këtë rrugë. Por objektivi i zotit Paneta në fillim do të jetë të krijojë imazhin se marrëdhëniet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit vazhdojnë, sepse të thuash të drejtën, dy vendet kanë nevojë për njëri-tjetrin në qoftë se dëshirojnë të bashkëpunojnë për të zgjidhur problemin e terrorizmit. "

Zoti Paneta ka qenë kongresmen i Partisë Demokrate me përvojë në çështjet e buxhetit. Ai ka qenë kryetar i Komisionit të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve kryesonte zyrën e buxhetit në Shtëpinë e Bardhë nën Presidentin Bill Klinton.

Analisti Geri Shmit i Institutit “American Enterprise”, thotë se sfida më e madhe për Panetën do të jenë shkurtimet në buxhetin e madh të Pentagonit.

"Në qoftë se administrata del fituese dhe bëhen qindra miliarda dollarë më shumë shkurtime, kjo do të kërkojë zvogëlime të mëdha të ushtrisë amerikane dhe të strukturës së saj."

Presidenti Obama ka urdhëruar 400 miliard dollarë shkurtime në buxhetin e sigurisë kombëtare gjatë 12 viteve të ardhshme. Kjo do të përbënte një ndryshim të madh pas viteve me buxhete të mëdha të Pentagonit që pasuan sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.

Paneta është i vetëdijshëm se koha e buxheteve të mëdha të mbrojtjes ka kaluar;

"Sfida jonë do të jetë të hartojmë buxhete që eliminojnë shpenzimet e kota dhe të dyfishta, duke ruajtur ata elementë thelbësorë që janë të domosdoshëm për mbrojtjen e vendit." - thotë zoti Paneta

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përballen me një deficit të madh buxhetor. Ushtria amerikane shpenzon10 miliardë dollarë në muaj në Afganistan.

Analistë si Geri Shmit thonë se tërheqja e trupave nga dy konfliktet i shkurton shpenzimet.

"Kur je president në Shtëpinë e Bardhë dhe kërkon të shkurtosh deficitin, heqja sa më shpejt e trupave nga Iraku dhe Afganistani sjell një ndryshim."

Paneta është bir i emigrantëve italianë dhe në vitet ’60 ai shërbeu si toger në ushtrinë amerikane. Ai dhe gruaja e tij Sylvia kanë një fermë në Karmel Valley të Kalifornisë.

XS
SM
MD
LG