Lidhje

SHBA, gara presidenciale dhe puna e Senatit


Në garën presidenciale amerikane janë përfshirë katër senatorë: tre republikanë dhe një demokrat. Të gjithë kanë një axhendë të ngjeshur legjislative dhe njëkohësisht një kalendar të ngarkuar me takime të fushatës. Rezultati i zgjedhjeve partiake në javët e ardhshme mund të ndikojë tek mënyra e funksionimit të Senatit këtë vit dhe tek fakti se cila parti do ta kontrollojë atë në vitin 2017.

Senatorët polemizojnë me njëri tjetrit në frontin e ngarkuar republikan.

Senatorët Ted Cruz, Marco Rubio dhe Rand Paul konkurrojnë për të marrë emërimin e partisë republikane, ndërsa kandidatja demokrate Hillary Clinton ka rival brenda partisë senatorin Bernie Sanders.

“Unë nuk përfaqësoj klasën e miliaderëve, as korporatat e Amerikës. As që i dua paratë e tyre.”

Sanders nuk e vë në dyshim faktin se ai është një njeri i brendshëm i Uashingtonit. Por shumica e kandidatëve republikanë e paraqesin veten si persona pa lidhje me Uashingtonin, që luftojnë kundër pushtetit të tij, përfshirë Kongresin dhe Senatin.

“Ky është një problem i të dyja partive. Dy parti në një aleancë mëkati, që na le ne njerëzit e tjerë në harresë.” – thotë zoti Paul.

“Kur keni qenë kundërshtarë të Uashingtonit? Jo vetëm të demokratëve, por edhe të njerëzve në poste drejtuese të partinë sonë?”- pyet senatori Kruz.

Mesazhi kundër Uashingtonit bie në konflikt me dëshirën e udhëheqësit të shumicës në Senat, Mitch McConnell, për të treguar se republikanët mund të qeverisin:

“Duam të vazhdojmë të jemi si Senati i këtij viti, i cili përpiqet që arritjet të kthehen në ligj.”

Por ja si shprehet një analist:

“Ky nuk ka për të qenë aspak një vit produktiv për Kongresin. Kongresi po përdoret si taktikë fushate për zgjedhje.”

Republikanët kanë një shumicë të vogël, prej katër vendesh në Senat dhe në zgjedhje ata do të mbrojnë dyfishin e vendeve të demokratëve. Analistët thonë se puna e zotit McConnell do të vështirësohet në se emërimi presidencial i shkon ultrakonservatorit Cruz:

“Mitch McConnell dhe Ted Cruz nuk shkojnë shumë mirë. Në se Mitch McConnell përpiqet t’i nxisë votuesit e Ted Cruzit të dalin në votime, ai kështu mund të dëmtojë senatorët e tjerë që duan të rizgjidhen.”

Senatori McConnell përpiqet t’i zbusë tensionet e krijuara nga fushata:

“Do të bëjmë punën për të cilën na ka zgjedhur populli amerikan dhe kandidatët presidencialë po e pengojnë.”

Senatori Cruz kryeson anketat e fundit në Iowa, ku votuesit partiakë do të mblidhen pas dy javësh.

XS
SM
MD
LG