Lidhje

SHBA: Shenja kompromisi nga ligjvënës të të dyja partive për uljen e deficitit

  • Majkëll Bouman

SHBA: Shenja kompromisi nga ligjvënës të të dyja partive për uljen e deficitit

SHBA: Shenja kompromisi nga ligjvënës të të dyja partive për uljen e deficitit

Me afrimin e afatit të fundit për të ulur deficitin masiv buxhetor të Shteteve të Bashkuara, ligjvënësit nga të dyja partitë duket se po i zbusin qëndrimet ideologjike me shpresën për arritjen e një marrëveshjeje dypalëshe që do ta drejtonte Amerikën në një rrugë më të shëndoshë fiskale. Korrespondenti Michael Bowman njofton nga Uashingtoni:

Ekonomistët pohojnë se qeveria amerikane duhet të shpenzojë më pak dhe të grumbullojë më shumë të ardhura për arkën e shtetit përmes taksave, për të ulur deficitin që llogaritet në triliona dollarë. Por pjesa më e madhe e republikanëve janë kundër rritjes së taksave në çdo formë, dhe pjesa më e madhe e demokratëve kundërshtojnë shkurtime në shpenzime që do të dëmtonin programe në ndihmë të të varfërve dhe të moshuarve. Si rezultat, Kongresi është mbërthyer në një qorrsokak politik, ku asnjëra parti nuk arrin të përmbushë pikëpamjet e saj dhe kompromisi është e vetmja rrugë për të miratuar një ligj.

Tani po shihet një rreze shprese. Ndërkohë që mbeten vetëm pak javë për të arritur shkurtime buxhetore në masën 1.2 trilion dollarë për 10 vjetët e ardhshëm, një numër gjithnjë në rritje me ligjvënës nga të dyja partitë po shkëputen nga qëndrimet ideologjike me shpresën për të arritur një konsensus për uljen e deficitit me 4 ose më shumë trilionë dollarë.

Ligjënësi Majk Simpson nga shteti Ajdaho është një ndër dhjetëra republikanë, të cilët tani e pranojnë se një rritje taksash është e nevojshme për të ardhurat qeveritare:

“Fakti është që nuk mund të arrish shkurtime prej 4 trilionë dollarësh pa rritur taksat. Shtimi i të ardhurave buxhetore është kyç për këtë qëllim”.

Zoti Simpson i bëri komentet për programin televiziv Fox News Sunday. Ai është një ndër autorët që hartuan një letër të nënshkruar tashmë nga më shumë se 100 ligjvënës nga të dyja partitë, ku bëhet thirrje për një kombinim të shkurtimit në shpenzime dhe rritje të të ardhurave nga taksat për të ulur deficitin.

Një tjetër bashkautor i letrës është ligjvënësi demokrat Heath Shuler nga Karolina e Veriut, i cili thotë se partia e tij duhet të pranojë shkurtime të ndjeshme buxhetore, në të mirë të mbarëvajtjes financiare të vendit. Ai i bëri komentet për emisionin Fox News Sunday:

“Në mënyrë që t’i mbrojmë këto programe federale, duhet të garantojmë që kanë burime financiare afat-gjata, por duhet të eliminojmë shpërdorimet dhe manipulimet që kanë ekzistuar prej vitesh në këto programe”.

Zoti Shuler veçon programet që ofrojnë të ardhura dhe kujdes shëndetësor për pensionistët, duke thënë se programet duhen reformuar për të ulur koston dhe se këto programe nuk mund t’u shpëtojnë shkurtimeve buxhetore.

Komisioni i ngritur për deficitin buxhetor ka afat deri më 23 nëntor për të gjetur mënyra për shkurtimin e deficitit së paku me 1.2 trilionë dollarë. Me afrimin e afatit, njoftimet nga Kapitoli bëjnë të ditur se komisioni është bllokuar në linja partiake. Nëse nuk arrin rezultate brenda afatit, në fillim të vitit të ardhshëm futen në veprim shkurtime automatike buxhetore.

Ligjvënësi Simpson thotë se komisioni duhet që jo vetëm të kapërcejë ndarjet partiake, por duhet të identifikojë shkurtime mbi minimumin prej 1.2 trilionë dollarësh.

“Shkurtimi prej 1.2 trilionë dollarësh nuk e zgjidh problemin e borxhit dhe nuk fillon ta ulë deficitin. Thjesht e zhvendos problemin në të ardhmen, por fakti është që nuk kemi kohë për të pritur. Duhet të marrim vendime të vështira”.

Megjithë përpjekjet për të gjetur gjuhën e përbashkët mes demokratëve dhe republikanëve, ende ka mospajtime partiake. Për shembull, pjesa më e madhe e demokratëve duan rritje taksash mbi të pasurit, ndërsa republikanët duket se kufizohen vetëm tek eliminimi i shkurtimeve të mëparshme të taksave.

Deficiti federal këtë vit është 1.3 trilion dollarë. Por deficitet e mëparshme të marra së bashku e çojnë shumën në 15 trilionë dollarë, thuajse të njëjtë me prodhimin e brendshëm bruto.

XS
SM
MD
LG