Lidhje

SHBA: Shërbimi Postar kërkon ndryshime për të shmangur problemet financiare


SHBA: Shërbimi Postar kërkon ndryshime për të shmangur problemet financiare
SHBA: Shërbimi Postar kërkon ndryshime për të shmangur problemet financiare

Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara ndodhet në vështirësi të mëdha financiare. Gjatë 10 viteve të fundit kjo agjenci ka humbur rreth gjysmën e volumit të dikurshëm të punës. Ajo ka dalë me humbje prej miliarda dollarësh dhe duket se kjo është një prirje e cila do të vazhdojë. Deri në fund të këtij muaji shërbimi postar nuk do të jetë më në gjendje që të paguajë planet e pensionit dhe të mbulojë siguracionin shëndetësor të punonjësve të saj. Kreu i Shërbimit Postar I ka kçrkuar Kongresit të ndrhyjë për të miratuar një sërë reformash drastike.

Në Shtete e Bashkuara ka më shumë zyra të shërbimit postar se sa qendra McDonalds, kafene Starbucks apo dyqane Wallmart të marra së bashku. Ekzistenca e këtij shërbimi është sanksionuar edhe në Kushtetutën amerikane.

Për Lenroi Linë dhe bashkëshorten e tij, zyra postare në periferi të Los Anxhelosit është një pjesë jetësore e komunitetit të tyre.

“Njoh disa nga punonjësit e asaj zyre, i shoh shpesh.”

Por kjo postë shumë shpejt do të mbyllet pasi kostoja e mbajtjes së saj është më e madhe se të ardhurat vjetore. Në fakt 15 mijë zyra postare në situatë të ngjashme financiare kudo në Shtetet e Bashkuara mund të mbyllen gjatë 4 viteve të ardhshme.

“Nuk është mirë pasi është një postë që i shërben komunitetit."

Por një zëdhënës i Shëbimit Postar, Riçard Maher, thotë se njerëzit kanë ndryshuar mënyrën e komunikimit dhe të marrëdhënieve tregtare.

“Në vend të postës, përdoret Interneti. Njerëzit i paguajnë faturat tashmë përmes tij”.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Shërbimi Postar humbi 8 miliardë e gjysëm dollarë. Agjensia parashikon të dalë me humbje me rreth 10 miliardë dollarë këtë vit.

“Nëse shërbimi postar do të ishte një biznes i rregullt, ne duhet të kishim shpallur falimentimin dhe do të kishim nisur ristrukturimin dhe riorganizmin”.

Por meqënëse Shërbimi Postar është agjenci qeveritare, ristrukturimi duhet të miratohet nga Kongresi. Duke folur përpara një komisioni dëgjimor të senatit, Drejtori i Përgjithshëm i Postave Patrik Donaho kërkoi leje për të ndryshuar sistemin e siguracioneve shëndetësore dhe të pensioneve për punonjësit e shërbimit postar. Ai kërkoi gjithashtu që të hiqet e shtuna si ditë pune për Shërbimin Postar.

“Duke punuar vetëm 5 ditë ne mund të kursejmë rreth 3 miliardë dollarë në vit”.

Zoti Donahe tha gjithashtu se agjencia ka nevojë të shkurtojë 22 mijë vende pune deri në vitin 2015.

“Morali në zyrat e postës është shumë i ulët”.

Kjo punonjëse e postës ka punuar aty për 24 vite. Ajo pat menduar se kjo punë do t’i jepte siguri financiare.

“Kur nisa punë këtu isha në prag të të tridhjetave. Mendova se me këtë lloj pune gjatë viteve mund të blija një shtëpi, të kurseja para për të çuar fëmijët në universitet e kështu me rradhë. Por me ndryshimet që mund të bëhen në zyrat e postës, si pasojë e situatës ekonomike, mund të kem një pension të parakohshëm.”

Edhe nëse Kongresi i miraton ndryshimet, zëdhënësi Riçard Maher thotë se qëllimi kryesor i Shërbimit Postar do të mbete i njëjtë.

“Ne do të vazhdojmë të shërbjemë për çdo biznes apo banor të Shteteve të Bashkuara, por ne do të ndryshojmë mënyrën e shërbimit tonë, dhe duhet t’a bëjmë këtë”.

Zoti Maher thotë se disa nga ndryshimet e pritshme do të marrin jetë sapo Kongresi të japë miratimin e tij.

XS
SM
MD
LG